Sekuestrohen 494 mijë euro të padeklaruara në Muriqan

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Administrata Doganore në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Muriqanit, sekuestruan 494.785 euro të padeklaruara dhe arrestuan në flagrancë një shtetas.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, agjencitë ligjzbatuese në kufi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte një shumë të madhe parash dhe tentonte për t’i futur në mënyrë të kundërligjshme nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim të ngushtë, finalizuan me sukses operacionin. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi R. R., 56 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali, agjencitë ligjzbatuese gjetën të fshehura në mjet, 494.785 euro, të cilat shtetasi R. R. nuk i kishte deklaruar”, bënë të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD).

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës material, ndërsa u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. R., për veprat penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.