Reforma në Drejtësi proces i pakthyeshëm, arkitektura kushtetuese ka garantuar pavarësinë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ “5 vjet nga miratimi i Reformës në Drejtësi janë provë e gjallë e një sërë arritjesh tepër të rëndësishme që kanë shërbyer si gur themeli në kapërcimin e sfidave të drejtësisë së re, që tregojnë qartësisht se reforma është në udhën e duhur në një proces të pakthyeshëm”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj në tryezën “5 vjet nga reforma në drejtësi; konsolidimi i sistemit përmes strategjisë së re ndërsektoriale të drejtësisë”, ku marrin pjesë ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, Kryetari i Këshillit të Larë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, etj.

“Arkitektura kushtetuese dhe ligjore ka garantuar pavarësinë dhe paanësinë e plotë të sistemit të drejtësisë. Të pandikuar nga politika dhe çdo faktor tjetër të jashtëm, organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë kanë në dorë që përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore në promovimin, emërimin e magjistratëve në sistem ashtu si dhe inspektimin dhe procedimin disiplinor në rastet e shkeljeve, ta ushtrojnë me përgjegjshmëri dhe transparencë”, nënvizoi Gjonaj.

Sipas saj, lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë po njeh një kurbë rritëse, duke shenjuar në vijimësi me rezultate të prekshme, të vlerësuara dhe të mirëpritura nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ministrja Gjonaj u shpreh se “pastrimi i sistemit nëpërmjet procesit të “Vetting”-ut nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të padenjë dhe rezultatet e deritanishme të strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë domethënëse dhe shpresëdhënëse që të dëshmojnë se reforma do të rikthejë besimin e qytetarëve te sistemi”.

“Ringritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë përtej vonesave tashmë të njohura, sot janë funksionale dhe që pritshmëria ndaj tyre për paanësi, profesionalizëm, integritet në vendimmarrje është shumë e lartë”, – tha Gjonaj duke shtuar se jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se vështirësitë, me të cilat përballet zbatimi i reformës sot nuk janë të pakta.

Gjonaj tha se “procesi i “Vetting”-ut do të duhet të vijojë me ritme më të shpejta duke respektuar standardet më të mira dhe të unifikuara në të gjithë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse të këtij procesi. Vakancat e krijuara në sistem për shkak të largimeve të shumta kanë passjellë nevojën për të adresuar strategjikisht rritjen e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistratëve dhe ruajtjen e cilësisë profesionale, formimit të shëndetshëm etik dhe promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem”.

“Rritja e eficencës së sistemit padyshim do të ndihmohet edhe nga harta e re gjyqësore. Institucionet me përgjegjësi ligjore si Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ do të duhet të peshojnë në mënyrë të kujdesshme nga njëra anë adresimin e nevojave imediate të sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër garantimin e aksesit në drejtësi të çdo qytetari. Një hap i rëndësishëm që i parapriu kësaj vendimmarrje ishin edhe ndryshimet ligjore në maj 2021, të cilat mundësuan funksionimin e plotë të degëve të gjykatave”, shtoi Gjonaj.

Tanimë, vijoi Gjonaj, avancimi i Reformës në Drejtësi është në momentin që kërkon vullnet, angazhim, ritëm pune dhe bashkëpunim midis të gjithë aktorëve.

“I gjithë procesi i hartimit të kësaj strategjie gjithëpërfshirëse ka qënë vetëm, një ndër shembujt e punëve të mira që janë rezultat i bashkëpunimit. Qëllimi i kësaj tryeze është fillimi zyrtarisht i një fazë të re, atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në Drejtësi të mishëruara në këtë document strategjik të drejtësisë, si udhërrëfyes për vitet në vijim, i asaj çfarë është ndërtuar deri tani. Për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale të Drejtësisë është punuar për një periudhë të gjatë, nga një grup pune i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me përfaqësues nga të gjitha institucionet e drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, asistuar në të gjithë procesin nga misioni Euralius. U punua për pothuajse një vit intensivisht për këtë dokument strategjik, i paraprirë nga një analizë dhe pasuar me një plan veprimi. Janë organizuar më shumë se 25 takime konsultuese të dokumentit final, në të cilat kanë dhënë kontributin e tyre aktiv rreth 264 pjesëmarrës, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, pedagogë, partnerë ndërkombëtarë, shoqëri civile, noterë, përmbarues, etj.”, theksoi Gjonaj.

Gjonaj vlerësoi mbështetjen e treguar në këto vite nga Kuvendi, i cili sipas saj ka qenë edhe laboratori i kësaj sipërmarrjeje, ku jo vetëm u hodhën themelet e sistemit të ri të drejtësisë por është dhënë mbështetje aktive në miratimin e ndryshimeve ligjore si dhe në adresimin e kërkesave të institucioneve të drejtësisë.

“Reforma në Drejtësi ka patur mbështetjen, asistencën dhe kontributin nga partnerët ndërkombëtarë BE dhe SHBA, pa të cilën do të ishte e vështirë zbatimi i kësaj reforme. Për këtë me lejoni e nderuar Ambasadore Kim dhe Ambasadori Soreca t’ju shpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare si dhe të gjitha vendeve të tjera mike dhe partnere që vazhdojnë të na mbështesin në konsolidimin e sistemit të ri të drejtësisë”, – tha Gjonaj.

Ministrja Gjonaj tha se “mbetem besimplotë se vullneti ynë i përbashkët, bashkëpunimi dhe koordinimi eficent do të jetë një tjetër shtysë e fortë për të avancuar me zbatimin e reformës në 5-vjeçarin e ardhshëm. Reforma në Drejtësi është shpresa e qytetarëve për një qeverisje shumë më të mirë, për më shumë besim te shteti dhe institucionet e tij, është ura jonë lidhëse me të ardhmen tonë europiane”.

Metani dhe Ibrahimi: Koha për të dhënë rezultate

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani theksoi në fjalën e tij se “pesë vjeçari që lamë pas, shërbeu për të kuptuar rëndësinë e nevojës për të transformuar një prej shtyllave sa delikate aq edhe të domosdoshme në një shtet të së drejtës”.

Metani u fokusua te planifikimi strategjik, si sistemi kryesor që garanton bashkërendimin dhe zbatimin e politikave të institucioneve kushtetues për të siguruar shpërndarje efektive dhe të qëndrueshme të burimeve financiare.

“Me ngritjen e institucioneve të pavarura, procesi i planifikimit strategjik ka patur një përmirësim në sajë të gjithëpërfshirjes dhe rakordimit të politikave në nivel planifikimi institucional të koordinuar dhe ndërthurur me planifikimin strategjik. Struktura e dokumentit strategjik, të vënë në dispozicion për mendim, mbështet zhvillimin e misionit institucional, në drejtim të vlerësimit dhe analizimit të kuadrit normativ mbi të cilin mbështetet veprimtaria, fuqizimit të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimit të mjeteve të teknologjisë në funksion të efiçencës së dhënies së shërbimit. Si në çdo fazë të hartimit të reformës, mbështetja e partnerëve ka qenë evidente dhe reflektohet edhe në cilësinë e përmbajtjes së këtij dokumenti. Megjithatë, çelësi i suksesit pritet të jetë përfshirja proaktive e institucioneve të pavarura në këtë proces, përfshirja e tyre duke marrë në konsideratë kërkesat dhe propozimet, pasi matja e rezultateve e objektivave do të jetë produkt i performancës së organeve të pavarura në përmbushjen e qëllimit madhor, atij të konsolidimit të sistemit të drejtësisë”, theksoi ai.

Metani u shpreh se me dokumentin e ri për 5 vitet e ardhshme, del në pah nevoja për një qasje më gjithëpërfshirëse edhe në zhvillimin e politikave të sektorit buxhetor dhe shmangien e ndikimit të ekzekutivit në kontrollin e buxhetit të institucioneve të pavarura kushtetuese, si mjet për të garantuar autonominë dhe pavarësinë e institucionit.

“Një nga faktorët që ndikon në performancën e institucionit është edhe mënyra e dhënies së fondeve, përdorimi me efektivitet i tyre dhe përshtatshmëria e burimeve financiare, materiale e njerëzore në dispozicion të institucionit. Sigurimi i këtyre burimeve të mjaftueshme në kohë, garanton sigurimin e pavarësisë së institucioneve. Financimi sipas nevojës dhe përdorimi në mënyrë transparente, janë thelbësorë për të arritur objektivat e vendosur, në kohë dhe me cilësi”, tha Metani.

5 vite pas miratimit të Reformës në Drejtësi, vijoi ai, sfida e vërtetë e institucioneve të reja mbetet mbështetja dhe bashkëpunimi i koordinuar mes pushteteve, në vlerësimin e kujdesshëm e të paanshëm të nevojave dhe adresimit në kohë të shqetësimeve dhe problematikave që evidentohen, përmes mekanizmave funksionalë të monitorimit të zbatimit dhe atyre miratuese.

“Kemi lënë pas erën e ngritjes së institucioneve tona, e tani është koha e rezultateve, të matshme e cilësore, për të justifikuar tashmë besimin e publikut tek drejtësia. Kjo është sfida e të ardhmes”, përfundoi ai.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi nënvizoi nevojën për koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të institucioneve të drejtësisë për të dhënë rezultatet e shumëpritura nga opinioni publik dhe nga shoqëria në tërësi. Ibrahimi u shpreh se ka ardhur koha që të jepen rezultatet maksimale pasi janë në një fazë të pakthyeshme të funksionimit të reformës në drejtësi.

Në fjalën e tij, Ibrahimi tha se “mendoj se ka ardhur koha t’i japim rëndësisë materializimit të politikave publike”.

“Është koha të japim rezultatet në këtë nivel, besoj se pamja e përfaqësuesve të institucioneve tregon qartë që arkitektura e re është komplekse dhe inteligjente dhe në gjendje të japë rezultate maksimale. Duke qenë komplekse sjell nevojën për koordinim. Vetëm kështu mund të japim rezultate. Për të gjitha institucionet që janë të përfaqësuara këtu është koha për të dhënë rezultate sepse jemi në një fazë të pakthyeshme të funksionimit të reformës në drejtësi. Vetë pamja e përfaqësuesve të institucioneve të rreshtuar në këtë tryezë, tregon shumë qartë që arkitektura e re e sistemit të drejtësisë është komplekse, por inteligjente”, u shpreh ai.

Megjithatë, vijoi Ibrahimi, ajo sjell në plan të parë nevojën për koordinim, duhet të mësojmë të nder veprojmë, strategjia që shtrohet sot është dokumenti që materializon edhe mënyrën se si do të koordinohemi me të ardhmen për rezultatet.

“Për të gjitha institucionet është koha për të dhënë rezultate dhe ne jemi duke e bërë, diku më të dukshme diku jo, është një moment i rëndësishëm që të kornizohet në një strategji të efektëshme”, theksoi kreu i KLP-së.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.