Reforma në Drejtësi, Kim: Disa nuk kanë dashur që kjo të ndodhë. Soreca: Më shumë lidership nga politika

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ 5 vite pas miratimit të Reformës në Drejtësi, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë, Yuri Kim deklaron se Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë apo perfekt, por Shqipëria, tha ajo ka bërë shumë progres.

“Është një moment i rëndësishëm. 5 vite më parë u vendos për Reformën në Drejtësi. Shumë shqiptarë e mbështetën këtë reformë. Kjo tregon se sa Shqipëria dhe shqiptarët duan ndryshime themelore në sistemin e drejtësisë. Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë apo perfekt, por tashmë po shikojmë rezultate. Shqipëria ka bërë shumë progres sa i përket Reformës në Drejtësi, çfarë kërkojnë edhe qytetarët”, deklaroi Kim në tryezën e mbajtur sot në Tiranë p[r Reformën në Drejtësi .

Kim theksoi se tashmë të gjitha institucionet janë ngritur dhe janë funksionale, përfshirë edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese apo SPAK-un.

“Edhe SPAK u ndërtua dhe po jep rezultate. Ka patur luftë kundër korrupsionit. Janë rrëzuar gjykatës të korruptuar. Po tregohet që ligji është i barabartë për të gjithë dhe se askush, sa do i rëndësishëm apo fuqishëm të mendojë se është, nuk mund të jetë mbi ligjin”, deklaroi Kim.

“Varet nga sistemet e drejtësisë dhe veprimet tuaja për të treguar se kjo është e vërtetë“, iu drejtua Kim krerëve të institucioneve të drejtësisë në vend.

Kim tha se shqiptarët shpresojnë dhe ne duhet t’i sigurojmë ata, se do ta bëjmë Reformën në Drejtësi, siç duhet dhe të japim shpresë për brezat e ardhshëm.

“Po shohim rezultate. Janë hequr gjyqtarë të korruptuar, apo anëtarë të tjerë të korruptuar dhe po luftohet krimi i organizuar. Këta kanë qenë titujt kryesorë gjatë ditëve të kaluara”, tha Kim.

Ambasadorja Kim vuri në dukje se disa nuk kanë dashur që kjo të ndodhë, por shtoi ajo, shumë të tjerë kanë dashur që kjo të ndodhë.

“Është detyra e kujtdo në këtë tavolinë, por mbi të gjitha e shqiptarëve në këtë tavolinë dhe jo e të huajve, të zbatojnë këtë Reformë në mënyrë që shqiptarët të besojnë te ju. Është koha që të hapni një epokë të re në Shqipëri dhe të krijoni një sistem drejtësie ku shqiptarët të kenë besim ku të kërkohet drejtësi”, u shpreh ambasadorja.

Kim tha se është bërë një progres i mirë, por duhet ende shumë punë për të bërë.

“Është një moment kritik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju inkurajojnë të ecni përpara, ju mbështesin dhe dëshirojnë të shikojnë punën tuaj në vijim duke tejkaluar edhe pengesat”, tha ajo.

Kim më tej shtoi se SHBA ka mbështetur reformën në drejtësi që në fillim, në vitin 2016 dhe se do të jenë mbështetëse deri në fund.

“Përpjekjet tuaja për Reformën në Drejtësi kanë filluar që me administratën Obama, ashtu vijoi edhe nën administratën e ish-presidentit Trump dhe e njëjta gjë do të vazhdojë edhe në presidencën e Biden. Kështu do të vazhdojë deri në fund, në përpjekje për Reformën në Drejtësi dhe të ecet përpara. Është koha e duhur të festojmë, sepse ka arsye për të festuar. Është arritur shumë dhe është e nevojshme për të arritur edhe më shumë. Është koha e duhur të vlerësojmë se ku jemi dhe ku dëshirojmë të shkojmë”, deklaroi Kim.

Ambasadorja Kim po ashtu theksoi se është koha e duhur të nisim një diskutim për 5 vitet e ardhshme, për një ndryshim domethënës.

“Kjo varet nga aktorët politik dhe shqiptarët, nga sistemi i drejtësisë, që të besojnë në ndryshim dhe të përkrahin Reformën dhe t’u tregojnë atyre që kanë përfituar nga sistemi i shkatërruar se ditët e tyre kanë përfunduar dhe se ata nuk mund të vazhdojnë më me padrejtësi në kurriz të të tjerëve. Është koha të tregojmë se drejtësia do të mbizotërojë në Shqipëri”, u shpreh ambasadorja Kim.

Soreca: Më shumë lidership nga spektri politik që të ketë sukses

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, theksoi sot se “është e rëndësishme të kërkohet më shumë lidership nga i gjithë spektri politik, në mënyrë që reforma në drejtësi të ketë sukses”.

I pranishëm në tryezën “5 vjet nga Reforma në Drejtësi; konsolidimi i sistemit përmes strategjisë së re ndërsektoriale të drejtësisë”, ambasadori Soreca theksoi se “vijimi i Reformës në Drejtësi është shumë i rëndësishëm dhe një ndër prioritetet kryesore, që të ecet përpara në mënyrë efikase”.

“Pavarësia, integriteti i Reformës në Drejtësi është shumë i rëndësishëm. Objektivi kryesor për vitet e ardhshme është që të punohet fort, në mënyrë që të zbatohet Reforma në Drejtësi ashtu siç duhet. Do të kërkohet përgjegjshmëri për përfshirjen në zbatimin e reformës në drejtësi. Bazat ligjore të jenë në vend, korniza ligjore po ashtu të jetë në vendin e duhur, të luftohet korrupsioni”, – nënvizoi Soreca duke shtuar se do të diskutojmë për strategjinë në Reformën në Drejtësi gjatë ditës së sotme.

Ambasadori Soreca u shpreh se “do të diskutojmë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet europiane. Është i nevojshëm bashkëpunimi dhe koordinimi për Reformën në Drejtësi”.

Sipas tij, është inkurajuese që në këtë tavolinë të jenë aktorët kryesorë.

“Kjo është një mënyrë e mirë për të shënuar përvjetorin e diçkaje kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Patjetër që kjo është e rëndësishme edhe për BE-në, i cili po investon në sektorë mjaft të rëndësishëm. E kemi mbështetur reformën në drejtësi në të gjitha nivelet dhe format, kemi menduar edhe përfshirjen financiare. Nuk do të ndalojmë së punuari, pasi duam ta shohim Shqipërinë sa më afër BE-së. Ta sjellim Shqipërinë pranë BE-së ka qenë angazhimi im kryesor që prej ditës sime të parë të punës dhe kështu do të vazhdojë deri në fund”, – tha Soreca.

Ambasadori Soreca tha se “puna që është bërë deri tani për Reformën në Drejtësi ka ndikuar në hapat drejt BE ashtu sikurse është vlerësuar Shqipëria deri tani dhe hapat që BE-ja ka marrë në kuadër të Shqipërisë, ashtu si ndodhi edhe vitin e kaluar”.

Soreca falënderoi të pranishmit për punën që kanë bërë për Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

/a.gj/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.