Operacioni “Rada”, sekuestrohen mbi 11 kg lëndë narkotike në Portin e Durrësit

TIRANË 23 korrik /ATSH-I.Vata/ Finalizohet me sukses operacioni “Rada” në Portin e Durrësi, ku përgjatë dy fazave të këtij operacioni janë sekuestruar 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë.

Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit e cila njofton se “në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontejnerëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme”.

“Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Taskforca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontejnerë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontejnerët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, theksohet në njoftim.

“Taskforca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu Policia e Shtetit bënë të ditur se “në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.