Mbi 1.6 milionë të huaj vizituan Shqipërinë, 13.8 herë më shumë polak

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021, është 1.687.919, duke shënuar rritje me 2,2 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke iu afruar kështu ritmeve të para krizës së COVID-19.

Nga këta, 1.580.166 vizituan Shqipërinë për pushime apo erdhën te të afërmit. Nga Kosova hynë 641 mijë shtetas, ndërsa nga Maqedonia e Veriut hynë 176 mijë individë.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, Polonia shënoi edhe rritjen më të madhe të numrit të shtetasve që vizituan Shqipërinë, konkretisht me 13,8 herë, e pasuar nga Zvicra me 2,7 herë.

Ndërsa uljen më të ndjeshme të numrit e shënoi Greqia me 69,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Por edhe numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021 shënoi rritje.

Referuar INSTAT, 1.703.123 shtetas shqiptarë dolën jashtë vendit në gjysmën e parë të vitit. Ky tregues është rritur me 23,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.