Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen IPA 2020

PRISHTINË, 23 korrik/ATSH/- Me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Ndryshe nga marrëveshjet e tjera ndërkombëtare kjo ka marrë mbështetjen edhe të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka prezantuar marrëveshjen, derisa bëri të ditur se nga e njëjta Kosova përfiton fonde në vlerë prej 90.2 milionë euro.

“Kjo marrëveshje apo IPA 2020 ka në vete apo ngërthen fonde financiare në vlerën e 90.2 milionë eurove si grante nga BE, ndërsa asaj i bashkëngjiten edhe 13 milionë euro të tjera grante, nga GIZ 300 mijë euro dhe po ashtu 300 mijë euro nga UNICEF. Në bashkëfinancim parashihen edhe 7.6 milionë euro nga qeveria qendrore dhe 7.4 milionë euro janë pjesë prej të cilave 3.7 financohen nga niveli lokal dhe 3.7 nga kompania apo ndërmarrja publike ‘Termokos’”, tha ai.

Sektorët që mbulon marrëveshja janë demokracia dhe qeverisja, sundim të ligjit dhe të drejta fondamentale, mjedis dhe veprim klimatik, konkurrueshmëri dhe inovacion, si dhe pjesa e fundit arsimi, punësimi dhe politika sociale.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se pavarësisht dallimeve që i kanë do të votojnë pro kësaj marrëveshje financiare në mes Kosovës dhe BE-së.

“Pavarësisht dallimeve që i kemi do të jemi pro kësaj marrëveshje financiare në mes Kosovës dhe BE-së. Dua të ritheksoj edhe një gjë në vazhdimësi në mandatin e kaluar kur kam udhëhequr me Komisionin për Integrime Evropiane kemi ngritur çështjen e shqetësimeve që u përmenden për një deponi të mbeturinave që Kosova e ka humbur mundësinë për shkak të mos përcaktimit të saj për të ndarë një lokacion dhe si pasojë fondet nuk kanë shkuar në Kosovë. Në raport me të tilla marrëveshje financiare ne duhet të jemi partner serioz në mënyrë që këto fonde në BE të mos humbim rastin dhe të shkojnë në vende të tjera”, tha Deliu.

E njëjta është mbështetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.