Dua Lipa në Tiranë, Rama: Të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këngëtarja e njohur shqiptare Dua Lipa ka vizituar sot Tiranën, ndërsa u prit në takim nga Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama i uroi Dua Lipës të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur.

“Dua Lipa që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju. Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, – tha Rama teksa ndau edhe një fotografi me këngëtaren e njohur.

Dua Lipa ka hyrë në tregun ndërkombëtar prej disa vitesh dhe ka arritur të prekë majat e suksesit. Kohët e fundit ajo ka arritur të rrëmbejë çmime mjaft të rëndësishme si “The Global Awards”, “Grammy Awards” etj.

/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.