BULLGARI – Presidenti Radev kërkon me ngulm krijimin e qeverisë

SOFJE, 23 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti bullgar, Rumen Radev ka kërkuar me ngulm  krijimin e qeverisë dhe për këtë ka filluar edhe konsultimet me gjashtë forcat politike që hynë në parlamentin e ri pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 korrikut të kaluar.

“Bullgaria nuk ka mundësi të humbasë më shumë kohë. Ne kemi nevojë për një ekzekutiv me mbështetje të gjerë parlamentare dhe publike”, theksoi Radev.

Të parët që u pranuan në bisedime ishin përfaqësuesit e partisë së re populiste dhe antisistem ”Ka një popull si ky” (ITN), të përfaqësuar nga artisti televiziv, Slavi Trifonov, fitues i zgjedhjeve.

Presidenti ka në program gjatë ditës edhe takime me forcat e tjera, si me partinë konservatore GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov e cila qëndroi në qeveri për gati 10 vjet, Partia Socialiste Bullgare (BSP), partia ”Bullgaria Demokratike” (DB), partia e pakicës turke ”Lëvizja për të drejtat dhe liritë” (DPS) dhe partia ”Çohu! Kriminelët jashtë!” nga ish-Avokatja e Popullit, Maja Manolova (e pavarur).

Konsultimet e forcës së parë politike fillojnë gjithashtu sot edhe mes ITN me formacionet e tjera, duke përjashtuar GERB, që kalon në opozitë, për përbërjen e një qeverie të re.

Pritet që presidenti Radev do t’ia besojë Trifonovit mandatin për të formuar qeverinë e re./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.