Adnan Xholi dhe Dorina Bejko, dy prokurorët e rinj pranë SPAK-ut

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Adnan Xholi dhe Dorina Bejko do të jenë dy prokurorët e rinj pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Kandidaturat e tyre u miratuan në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me votë unanime, Këshilli vendosi caktimin për një periudhë tremujore të Erjon Shehajt, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë; Pierind Çukajt, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë; Durim Bedinit, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë; Julian Çafkës, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër; Lazër Çardakut, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar, procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokuroren Dhorina Theodhori, kandidate për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë dhe për prokurorin Abaz Muça, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

Pas këtij momenti ata lejohen të vijojnë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë.

Shorti ka caktuar si relatorë, Alfred Ballën, për fillimin e procedurës së ngritjes në detyrë për prokuroren Dhorina Theodhori dhe Bujar Sheshin, për fillimin e procedurës së ngritjes në detyrë për prokurorin Abaz Muça.

Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak dorëheqjeje, për Agron Gjanën, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Dorëheqja jep efekt me datë 31.08.2021.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.