9 bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien e 9 bursave për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë për vitin akademik 2021-2022.

Sipas vendimi të Këshillit të Ministrave bursa e studimit për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare përfshin mbulimin financiar për tarifën e studimeve, si dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik.

Për vitin akademik 2021-2022 të akordohen 9 (nëntë) bursa për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, për të studiuar në Republikën e Shqipërisë për vendet, si më poshtë vijon:

a) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Ukraina;
b) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të komunitetit arbëresh në Itali;
c) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare në Kroaci;
ç) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Bullgari;
d) 1 (një) bursë studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Turqia.

Misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në vendet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, bëjnë propozimet për kandidatët për përfitimin e bursës për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare për vitin akademik 2021-2022. Ato janë përgjegjëse për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar për kandidatët përfitues të bursës.

Kriteret bazë për përfitimin e bursës që duhet të plotësojë aplikanti janë, si më poshtë vijon: Të ketë mbaruar arsimin e mesëm të lartë me një mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë) ose të barasvlershme me të; Të mos jetë i diplomuar në një program studimi të të njëjtit cikël studimi që aplikon; Të jetë kandidat për student nga shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga vendet për të cilat ofrohen bursa, sipas pikës 3, të këtij vendimi.

Kriteret për përfitimin e bursave, sipas programeve ku do të studiojnë shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, përcaktohen me marrëveshje ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD) dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL).

Për ndjekjen e procesit dhe vlerësimin përfundimtar të dokumenteve të kandidatëve, të cilët do të përfitojnë bursë studimi, institucionin e arsimit të lartë dhe programin e studimit, ku do të studiojnë, krijohet Komisioni i Bursave për Diasporën, me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për diasporën, ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, të cilët do të propozohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (1 anëtar), Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (1 anëtar) dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës (1 anëtar).

Agjencia Kombëtare e Diasporës të mbulojë tarifën për ndjekjen e këtij kursi.

Financimi i bursave në zbatim të këtij vendimi, për vitin akademik 2021-2022, ka një vlerë prej 71 520 (shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e njëzet) eurosh. Ky financim do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.