​Zbulohet shtatorja e Fadil Vokrrit, Kurti: Ishte dhe mbetet krenaria e Kosovës

PRISHTINË, 23 korrik /ATSH/ Afër stadiumit që mban emrin e Legjendës së Futbollit të Kosovës nga sot do të qëndrojë edhe shtatorja e bronztë. Për Fadil Vokrrin u tha se sa herë ia mësynte 16 metërshit, shënohej gol ose penalti.

Politikanë, familjarë e bashkëlojtarë e kanë kujtuar me krenari, duke thënë se i njëjti duhet të shërbejë si shembull për të ardhmen e Kosovës.

Në ditëlindjen e 61-të, Fadil Vokrri u kthye i bronztë pranë stadiumit që po ashtu mban emrin e tij.

Kryeministri Albin Kurti tha se Fadil Vokrri ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Sipas tij, sot futbolli po përfaqëson shtetin dhe Republikën e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Qysh nga 9 qershori i viti 2018 kur ai u nda nga jeta është thënë shumë për Fadil Vokrrin. Dua të flas për legjendën e sportit ashtu siç e njoh dhe e mbaj mend unë, një karrierë brilante në dy forma. Fillimisht Fadilin e njohin si futbollist të talentuar e të suksesshëm, i cili për gjatë viteve të 80-ta preku majat e suksesit në sport. Në atë periudhë Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë kur në Kosovë, në çdo fushë tjetër gjërat ishin shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. E kam thënë edhe më herët dhe do e them sa herë flitet për Fadilin, kur e merrte topin afër 16 metërshit, i gjithë stadiumi ishte në këmbë. E kur shënonte të gjithë ishin në ajër”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se Vokrri arrinte të shënonte gol edhe për klube të mëdha e të famshme të asaj kohe. Megjithatë, potencoi se ishte përballur me vështirësi të mëdha nga sistemi i regjimit të asaj kohe.

“Edhe kjo shtatore këtu është ai momenti kur Fadil Vokrri e merr topin para vijës së 16 metërshit me shikimin te këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do i driblojë dhe me shumë gjasa sa herë që ia mësynte e hynte në 16 metërsh bëhej ose gol, ose penalti… Shtatorja e Fadil Vokrrit shënon jo vetëm veprimtarinë e tij por edhe sfidat e sakrificat që sporti kosovar ka kaluar për të qenë sot këtu”, u shpreh Kurti.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se Legjenda e Futbollit kosovar ishte pronari i tavolinës në shoqërinë e tij, duke shtuar se ai kontribuonte për vendin edhe në shumë sfera tjera.

“Ka pasur shoqëri dhe ka pasur ndikim për shumë gjëra që ka bërë jashtë futbollit për shtetin dhe gjithë ne që jemi sot këtu. Kulmi i tij dhe synimi i tij që ka qenë arritja që Federatën e Futbollit ta qoj në UEFA e në FIFA, ai e arriti me shumë mund, por gjithçka ka shkuar në bazë të emrit të tij dhe fuqisë së tij dhe ka qenë shumë më e lehtë edhe për ne. Kur them që Fadili ka qenë shumë-dimensionalë dhe ka pasur shumë shokë, këtë e tregojnë edhe shumë njerëz të tij të cilët këtu janë me ne”, theksoi ai.

Djali i Fadil Vokrrit, Gramozi tha se figura e tij duhet të shërbej si inspirim për gjeneratat e reja.

“Përtej kësaj pune shumë të bukur, jam edhe unë pak i emocionuar por prapë le të shërbej kjo për të ardhmen tonë që për gjeneratat e reja të jetë një inspirim se me punë dhe me angazhim e vullnet mund të arrihet gjithçka. Ky stadium, kjo kombëtare është një realitet i padiskutueshëm që u krijua falë këtij mentaliteti”, u shpreh ai.

Ish-futbollisti Bruno Ceka ka kujtuar Vokrrin në kohën kur Kosova ende nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht.

“Nuk di se si të shprehem pasi jam më se i emocionuar. Vetëm një rast të vogël po ua tregoj. E organizuam një turne të futbollit në Dallas edhe u bashkëngjit edhe Fadili më Agim Canën, me Sylejman Demollarin. Në atë turne ishte e ftuar Argjentina dhe Brazili. Aty fillojë baza e parë e internacionalizimit kosovar. A ka mundësi tha të tregosh se si ta vejmë emrin, atëherë kur Kosova nuk ishte e pranuar në federatë. Nëse nuk e vendosni Kosovën ne nuk do të vijmë të luajmë. Edhe organizatori tha në rregull. Kur shkuam në konferencë për shtyp, ishte Brazili, Argjentina dhe shkruante Albania. Unë ju thash ekipi jonë nuk luan. E bëmë një kompromis Shqipëria/Kosova. Atëherë për herë të parë në një vijë internacionale, futbolli kosovar u pranua”, theksoi ai.

Fadil Vokrrin e ka kujtuar edhe ish-kapiteni, Ramadan Cimili.

“Unë jam krenar që kam qenë kapiteni i tij. Por, jam krenar që kam qenë edhe kapiteni im. Prandaj, ne kemi një gjeneratë që nuk duhet kurrë të harrohet, sepse e kemi mbajtur futbollin gjallë dhe e kemi prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë”, tha ai.

Federata e Futbollit të Kosovës ka organizuar edhe një turne, i cili u zhvillua pas zbulimit të shtatores. Ku kanë marrë pjesë veteranët e Llapit, Prishtinës, kombëtares së Kosovës dhe Shqipërisë.

Fadil Vokrri vdiq në vitin 2018, duke lënë pas vetës histori suksesi në fushën e futbollit për Kosovën. /Sh.Pajaziti

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.