​Miratohen pjesërisht mocionet e Thaçit, Selimit dhe Krasniqit kundër formës së aktakuzës

PRISHTINË, 23 korrik/ATSH/- Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka miratuar pjesërisht mocionet e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kundër formës së aktakuzës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, bëjnë të ditur se gjykatësi Guillou ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që deri më 3 shtator të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës së konfirmuar në pajtim me vendimin.

Ndërsa mocioni i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit është hedhur poshtë tërësisht.

Kujtojmë që më 4 nëntor u arrestua Jakup Krasniqi e një ditë pas u arrestua Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Në paraqitjen e tij të parë më 10 nëntor, edhe Veseli u deklarua i pafajshëm.

Njëjtë është deklaruar edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.