Shkollat profesionale bujqësore, mundësi reale për punësimin e të rinjve

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qeveria po punon për të adresuar nxitjen e punësimit duke riorientuar sistemin e arsimit dhe trajnimit drejt nevojave të tregut të punës, ku fokus kryesor zë sektori i bujqësisë.
Arsimi dhe formimi profesional bujqësor ku ndërthuret trajnimi teorik me praktikën në punë, shihet nga ekspertët si një nga mjetet më të rëndësishme për rritjen e punësimit të rinjve në këtë sektor, që konsiderohet me potencial të lartë dhe rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me SRD/GIZ vijojnë të mbështesin shkollat e mesme profesionale bujqësore në Cërrik, Golem, Çlirim, Bushat, Pogradec si edhe në Korçë, për rritjen e kapaciteteve dhe standardeve të mësimdhënies dhe praktikave të ndryshme, duke i shërbyer aftësimit sa më mirë të të rinjve në drejtimin bujqësor.
Së fundmi, secila nga këto shkolla u mbështet për realizimin e aktivitetit “Dita e Informimit”.
550 nxënës, prindër, mësues nga zona të ndryshme rurale u bënë bashkë për të njohur nga afër të gjithë paketën e ofertës që ofrojnë këto shkolla, duke filluar nga programet, bursa, akomodim falas, praktika mësimore në laboratorë, fermën didaktike të shkollës etj.
Nëpërmjet këtyre projekteve synohet jo vetëm një perspektivë më e mirë për punësimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë, por dhe promovimi i arsimit profesional bujqësor në vend.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.