Sheshi “Çerçiz Topulli”, Gjirokastër transformim në një hapësirë këmbësore me parking nëntokësor


TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Punimet për parkimin nëntokësor në Sheshin e Çerçizit në Gjirokastër vijojnë dhe ecuria është brenda planit të hartuar. Kryeministri Rama u ndal edhe në këtë kantier, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, ndërkohë që aktualisht punohet për implementimin e fazës së parë të projektit.

“Në kantierin për transformimin e sheshit qendror në një hapësirë këmbësore me parking nëntokësor janë realizuar 40 % e punimeve. Parkimi nëntokësor do t’i japë një cilësi të re zonës historike, duke e çliruar zemrën e qytetit nga amullia e makinave të parkuara kuturu”, tha Rama.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se “gjatë gërmimeve kemi pasur në plan të parë dhe gjetjeve të mureve rrethues, por edhe nga studimet e arkeologëve janë pjesë dhe mure mbajtës të këtij sheshi që datojnë rreth 1920-ës, lidhen me fillimin e ndërtimit të këtij sheshi, së bashku me hotelin. Aktualisht kemi lidhur dhe marrëveshjen tripalëshe me arkeologët, nëse do kemi gjetje të tjera. Është bërë dokumentimi i pjesës së murit, i cili do rilidhet më pas me të gjithë tregimin e sheshit të sistemuar si pjesë e gjetjeve të gjithë ndërhyrjes”.

Margariti u ndal edhe në rëndësinë e këtij parkimi.

“Është një ndërhyrje e domosdoshme për të gjithë planin e menaxhimit të qytetit në UNESCO, pasi më pas do të garantojmë gjithë pjesën pedonale të Qafës së Pazarit. Sot sheshi shfrytëzohet si parkim në sipërfaqe, por në një qytet me vlera të trashëgimisë botërore nuk ishte e pranueshme. Ndaj do të jetë një nga rekomandimet e plotësuara për të gjithë ndërhyrjen e qendrës historike dhe patjetër do t’u shtojë vlerë edhe bizneseve përreth, duke i bërë të aksesueshme në çdo orë”, tha Margariti.

Punimet për ndërtimin e parkimit nëntokësor planifikohen të mbyllen brenda vitit.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.