Pandemia, ekonomistët e njohur promovojnë librin “Përballë krizës, sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Dy ekspertët e njohur të ekonomisë, akademik prof. dr. Anastas Angjeli dhe prof. dr. Adrian Civici, promovuan sot librin “Përballë Krizës – Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”.

Mes personaliteteve të njohur të fushës ekonomike, politike dhe shkencave sociale në panel ishin të ftuar kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko.

Ky libër vjen si një analizë më e thellë dhe e detajuar sa i përket e zhvillimeve, ndikimeve, problemeve, e pasojave që kriza e koronavirusit krijoi.

Dy ekspertët e ekonomisë, kanë depërtuar në “zemër të mekanizmave të kësaj krize”, shumëdimensionale, humane e shëndetësore, ekonomike e sociale, financiare dhe teknologjike. Ata kanë analizuar gjithashtu mendimin ekonomik shkencor, shkollat e këtij mendimi, por dhe të një ndryshimi të madh praktik dhe pasojat.

“Jemi përpjekur, të ofrojmë, në formën e informimit, analizave, komenteve, përshkrimeve, dhe pse jo, dhe të rekomandimeve, atë që ka ndodhur me këtë krizë, si dhe me çfarë skenaresh e periudhe kohore pritet të dilet prej saj”, u shpreh Anastas Angjeli.

Bashkautori, Adrian Civici u shpreh se kriza e koronavirusit ishte një krizë ndryshe pasi erdhi jashtë ekonomisë dhe financave, por me pasoja të forta në to, prandaj dhe sfidat që sjell me vete janë të përmasave të reja.

“Sfidat që kemi përpara janë të mëdha dhe ne me modesti jemi përpjekur t’i japim përgjigje shumë pyetjeve që ngrihen për të ardhmen, jo vetëm në fushën ekonomike dhe financiare, por në të gjitha fushat e tjera të implikuara”, tha Civici.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi se e ardhmja është e vështirë të parashikohet, por çdo krizë sjell me vete edhe oportunitete. ”Duke kuptuar se sa e vështirë ishte kjo krizë për bizneset ne duhet të bëjmë të mundur të orientojmë pikërisht në ato fusha ende të pashfrytëzuara plotësisht ku ekzistojnë këto oportunitete. Ky ishte një mësim i mirë që morëm nga kjo krizë globale”, u shpreh ministrja.

Libri u vlerësua edhe nga të pranishmit e tjerë në panel. Ky libër vjen vetëm një vit pas publikimit të librit “Kriza ekonomike – në periudhën e koronavirusit”.

Dy autorët nënvizuan se libri pasues nuk ishte thjesht një dëshirë, por ishte dhe një detyrim ndaj lexuesve për shkak se, kur u shkruajt dhe u publikua pjesa e parë e këtij libri, pandemia dhe kriza ekonomike rrjedhoje e kësaj pandemie, ishte vetëm në fillesat e veta.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko teksa përgëzoi prof. Angjelin e prof. Civicin për punën dhe përkushtimin gjatë analizës së shkëlqyer të efekteve ekonomike, financiare e shoqërore që COVID-19 solli në ekonominë botërore e atë shqiptare, tha se libri paraqet një shpjegim të saktë të suksesit dhe të efekteve që pati vendimmarrja e autoriteteve te biznesi dhe në ekonomi.

Në këtë kuptim libri i ofron lexuesve një mundësi për të vlerësuar ndikimet e politikave nga një këndvështrim i pavarur dhe kritik. Ai, vijon Sejko, ofron gjithashtu një mundësi për të optimizuar e koordinuar politikëbërjen në të ardhmen.

“Autorët me të drejtë konstatojnë se revolucioni digjital është një mundësi e madhe për zhvillimin e sistemit bankar dhe përfshirjen e shpejtë dhe të sigurt financiare të ndërmarrjeve. Ky është gjithashtu edhe një rast i volitshëm për krijimin e instrumenteve fleksibël që mundësojnë përgjigje të shpejta ndaj goditjeve negative dhe garantojnë stabilitetin financiar të bizneseve dhe ekonomisë. Digjitalizimi do të pasurojë gjithashtu me aktorë dhe shërbime të reja sistemet bankare e financiare”, deklaroi Sejko.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.