Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin Memorial Fier, Manastirliu: Së shpejti hapen shërbime të reja

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një tjetër ndërhyrje e suksesshme në shërbimin e urologjisë u krye me sukses në Spitalin Rajonal Memorial Fier.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila thekson se së shpejti do të hapen shërbime të reja në këtë spital të standardeve më të mira.

“Një tjetër ndërhyrje e suksesshme në shërbimin e urologjisë u krye me sukses në Spitalin Rajonal Memorial Fier, nga ekipi i kirurgëve turq dhe shqiptarë, me metoda të avancuara.
Së shpejti do të hapen shërbime të reja në këtë spital të standardeve më të mira”, tha Manastirliu.

Spitali Memorial i Fierit do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital po aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.