Kushi në Tokio: Sportistët tanë elitarë do të na bëjnë krenarë në Lojërat Olimpike

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka mbërritur në Japoni për të mbështetur ekipin olimpik shqiptar në kuadër të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, të cilat do të zhvillohen mes datave 23 korrik – 8 gusht, 2021.

Kushi i uron suksese të gjithë sportistëve në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

“Sapo mbërrita në Tokio dhe gjeta mikpritjen e ngrohtë të organizatorëve. Nesër flamuri shqiptar do të valëvitet në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020″ dhe sportistët tanë elitarë do të na bëjnë të gjithëve krenarë me pjesëmarrjen e tyre! Suksese!”, – tha Kushi.

Një ditë para nisjes zyrtare të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, ministrja Kushi përmes një albumi me foto të 9 sportistëve tanë elitarë që do të përfaqësojnë Shqipërinë, i ka uruar atyre shumë suksese në këtë aktivitet të rëndësishëm botëror.

Në këto lojëra olimpike, vendi ynë do të përfaqësohet nga: Luiza Gega (Atletikë, 3000 m, me pengesa); Briken Calja (Peshëngritje, 73 kg); Nikol Merizaj (Not, 50 m, stil i lirë); Izmir Smajlaj (Atletikë, kërcim së gjati); Matvei Petrov (Gjimnastikë artistike, kali me dorezë); Manuela Delilaj (Qitje, 10 m, pistoletë me ajër); Erkand Qerimaj (Peshëngritje, 81 kg); Kledi Kadiu (Not, 100 m, stil i lirë); Indrit Cullhaj (Xhudo, 66 kg).

“Urimet më të përzemërta ekipit olimpik dhe shumë suksese sportistëve tanë në disiplinat respektive ku garojnë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020″. Jam e bindur që do të dalin faqebardhë si përherë, duke na bërë akoma më shumë krenarë për flamurin tonë kuqezi”, shprehet Kushi.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.