Inovacioni në transport, diskutohet mbi mundësitë industriale në rajonin e Adriatikut

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Autoriteti i Aviacionit Civil në bashkëpunim me partnerin kryesor Distretto Tecnologico Aerospaziale, Puglia zhvilluan takimin e parë të punës në kuadër të projektit SKEYE, bashkëfinancuar nga programi INTERREG IPA Italy-Albania-Montenegro 2014-2020.

Ky aktivitet mblodhi së bashku pjesëmarrës nga universitete dhe qendra kërkimore, kompani të mëdha, ndërmarrje të vogla e të mesme, startup-e dhe institucione publike të Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

AAC bën të ditur se gjatë këtij takimi u adresuan çështje që lidhen me infrastrukturën më të sigurt në transport nëpërmjet shërbimeve hapësinore të BE-së, lëvizjen e avancuar nëpërmjet ajrit, lëvizshmërinë urbane ajrore, iniciativat e zhvillimit të saj në Evropë, si dhe krijimi i ndërmarrjeve inovative të kësaj fushe në Shqipëri, me synimin për të eksploruar dhe kuptuar ndikimin e mundshëm të këtyre shërbimeve hapësinore mbi inovacionin në transport dhe mundësitë industriale që ka rajoni i Adriatikut.

“Temat e trajtuara në këtë workshop stimuluan diskutimet ndërmjet pjesëmarrësve dhe panelit, veçanërisht për çështje që lidhen me pritshmëritë ndaj startup-eve në Shqipëri si ajo e aktivitetit të dronëve, përdorimin e hapësirës ajrore për këtë qëllim dhe më e rëndësishmja, miratimi i rregullores për operimin dhe monitorimin e sistemit të dronëve”, thotë AAC. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.