Inkubatori i produkteve tipike lokale në Përmet, akses në treg për fermerët


TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, bashkë me koordinatoren e përhershme të OKB në Shqipëri Fiona McCluney, vizituam ambientin e inkubatorit të produkteve tipike lokale, në Përmet, e ngritur nga shoqata “Pro Përmetit”.

Ekonomi u shpreh se “me mbështetjen e qeverisë përmes Skemave Kombëtare, kjo shoqatë ka ndërtuar impiante që prodhojnë lloje të ndryshme të rakisë, nga vreshtat që kultivon kjo zonë”.

“Ky inkubator ka edhe linja për tharjen e frutave e perimeve, si edhe makineri që paketojnë bimët medicinale”- tha ministrja, teksa vlerësoi këtë pasuri autoktone, si potencial të rëndësishëm në zhvillimin e agroturizmit.

Inkubatori i parë i produkteve tipike shqiptare, në Përmet, është tashmë një hapësirë e përbashkët për fermerët e zonës së Përmetit, që prodhojnë produktet tipike me metoda tradicionale dhe të certifikuara ato me kërkesat e tregut dhe sigurisë ushqimore, duke  garantuar akses në treg edhe për fermerët e vegjël.

Ky inkubator me dy linja prodhimi, një për raki të ndryshme tradicionale të zonës dhe tjetra për tharje, prerje dhe paketim fruta – perimeve, është një investim i mbështetur në 70% të vlerës nga skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi si dhe pjesa tjetër nga një donacion të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.

Produktet lokale agroushqimore, tashmë janë një vlerë e shtuar dhe atraksion në zhvillimin e agroturizmit që ka hyrë në një fazë të re investimesh sipas modeleve bashkëkohore duke ruajtur traditën, vlerat autentike lokale dhe artizane, mjaft trendi për turistët e vizitorët e ndryshëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.