Gjykata e Lartë hap aplikimet për anëtarë të KLGJ-së

TIRANË 22 korrik /ATSH-I.Vata/ Gjykata e Lartë njofton për hapjen e procedurës së aplikimit të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në një njoftim për mediet, Gjykata e Lartë njofton se “referuar ligjit “Për qeverisjen e organeve të sistemit të drejtësisë”, që parashikon se mandati i anëtarëve të ish-KLD-së përfundonte “në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor” dhe se KLGJ konsiderohet i krijuar “në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i tij”, data 12 dhjetor 2019, kur janë zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve 6 anëtarët e fundit përcakton momentin nga i cili fillon mandati i anëtarëve të këtij organi. Për rrjedhojë, data 12 dhjetor 2021 konsiderohet si data e përfundimit të mandatit respektiv për 5 anëtarët e KLGJ-së, sipas shortit të hedhur në momentin e krijimit të KLGJ-së, respektivisht, 3 anëtarë të zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve, si dhe 2 anëtarë të zgjedhur nga radhët e pedagogëve”.

“Referuar rregullave ligjore që përcaktojnë zhvillimin e kësaj procedure të hollësishme, ndjekja e të gjithë fazave procedurale nevojitet të respektohet me përpikmëri, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor nga të gjitha organet kompetente të zgjedhjes së anëtarëve të rinj, jo më vonë se data 12 dhjetor 2021. Gjithashtu, bazuar në nenet 9 dhe 107 të ligjit 115/2016, jo më vonë se 4 muaj nga data e mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLGJ-së shpallet thirrja nga Kryetari i Gjykatës së Lartë për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët për anëtarë të KLGJ-së. Në zbatim të këtij detyrimi, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë me anë të këtij njoftimi publik shpall thirrjen për paraqitjen e kandidaturave për anëtarë të KLGJ që duhet të plotësohen nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, behet e ditur nga njoftimi i Gjykatës së Lartë se “sipas ligjit, afati ligjor fundor brenda të cilit duhet të shpallet thirrja për paraqitjen e interesit për anëtarë të KLGJ është data 12 gusht 2021. Ligji ka parashikuar ndjekjen e disa fazave procedurale edhe afateve konkrete, të cilat llogariten duke konsideruar datën 12 gusht 2021, si datë të fillimit të procedurave përkatëse. Meqenëse shpallja e thirrjes për shprehjen e interesit nuk mund të bëhet tej datës 12 gusht 2021, vlerësohet e arsyeshme që thirrja të bëhet më parë, me qëllim që të mos lihet në afatin fundor, si dhe duke qenë se për shkak të ligjit, muaji gusht është muaj i pushimeve vjetore në sistemin e drejtësisë. Me qëllim që kandidatët dhe organet përkatëse të kenë kohën e mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore, afati i paraqitjes së kandidaturave do të jetë data 3 shtator 2021”.

Administrata e Gjykatës së Lartë, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare. Vendimi për përjashtimin e kandidaturave bëhet nga Komisioni i Kualifikimit pranë Gjykatës së Lartë, i cili përbëhet nga Kryetari dhe 2 gjyqtarë të caktuar me short. Kandidatët e përjashtuar nga Komisioni i Kualifikimit kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve të të gjithë niveleve, për zgjedhjen e kandidatëve, jo më vonë se 2 muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLGJ. Brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit në faqen zyrtare të institucioneve mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve për rrëzimin e kërkesës ose për përsëritjen e zgjedhjeve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.