“Gati për Shqipërinë”, Muzhaqi: 701 aplikime nga fusha të ndryshme

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bora Muzhaqi, njëkohësisht koordinatore e nismës “Gati për Shqipërinë”, informoi sot lidhur me ecurinë e procesit të thithjes së energjive të reja, jashtë e brenda vendit në funksion të mandatit të tretë.

Në një deklaratë për shtyp, Muzhaqi tha se “për këtë projekt ka pasur shumë interes nga të rinj dhe të reja jashtë Shqipërisë, për të dhënë kontributin e tyre duke u kthyer, por edhe duke punuar në distancë. Ky program do të jetë i hapur pa afat. Çdo aplikim do të konsiderohet me shumë interes nga Kryeministri dhe kabineti”, – tha Muzhaqi, duke shtuar se ky program do të jetë i hapur pa afat.

“Çdo aplikim do të konsiderohet maksimalisht. Kolegët e AKSHI-t kanë bërë një punë të paparë për ndërtimin e një aplikacioni. ‘Gati për Shqipërinë.al’ është tashmë platforma ku të gjthë mund të aplikojnë”.

Lidhur me ecurinë e deritanishme Muzhaqi u shpreh se “deri dje pasdite janë regjistruar 701 aplikime nga fusha të ndryshme, ku kryeson fusha e shkencave ekonomike me 154 aplikues, shkenca ekzakte me 118 aplikues, shkenca e jurisprudencës me 105 aplikues,  mjekësia me 82 aplikues, teknologjia e informacionit me 77 aplikues, shkenca sociale me 73 aplikues si dhe të tjerë në fusha të ndryshme si aviacioni, bujqësia, turizmi etj.”.

Nga të dhënat më të fundit, vijoi Muzhaqi, 51 % e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa 49 % jetojnë në Shqipëri, por që kanë një formim akademik dhe eksperienca profesionale brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Kemi realizuar 18 sesione dëgjesash me praninë e Kryeministrit, ku kanë marrë pjesë 483 aplikues, të cilët kanë pasur mundësinë të ndajnë me ne eksperiencën e tyre akademike, profesionale, si dhe mënyrën si e mendojnë kontributin e tyre në Shqipëri. Kemi realizuar takimet e para me 70 % të aplikuesve si dhe kemi kryer takimet e dyta me rreth 200 aplikues me prezencën e ministrave dhe titullarëve të agjencive ku kemi diskutuar me detaje të gjithë profilet e aplikuesve”, – nënvizoi Muzhaqi.

Zv.ministrja Muzhaqi tha se “po planifikojmë hapësirat e përfshirjes dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me Departamentin e Administratës Publike për të siguruar konceptin e nëpunësit digjital si dhe për një draftreformë për të krijuar një administratë shtetërore hibride”.

Mandati i tretë, shtoi ajo, do të jetë momenti i një hovi shumë cilësor në këtë drejtim. Qëllimi ynë për të rritur cilësinë dhe ekspertizën e Administratës Publike përveç të tjerave, për të krijuar edhe një hapësirë për të rinjtë profesionistë është prioritar për ne dhe ky program është thjesht një mjet në funksion të kësaj iniciative.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.