Biznesi rrit kërkesën për të marrë kredi për investime

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Biznesi po rrit kërkesën për të marrë kredi për financimin e investime.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, rigjallërimi i ekonomisë pas pandemisë, rritja e eksporteve, si dhe përmirësimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare i kanë dhënë frymëmarrje bizneseve, që kaluan një vit të vështirë.

Kjo situatë, sipas BSH-së, ka ndikuar në sjelljen e sistemit bankar që raportojnë lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti.

Ndërkohë që bankat kanë ulur interesat e kredisë në euro për investime në nivelin më të ulët historik prej 3,53 %.

BSH-ja bën të ditur se vitin e kaluar portofoli i kredisë së sipërmarrjeve u zgjerua me rreth 34.5 miliardë lekë, ose rreth 280 milionë euro.

Nga këto, 29.5 miliardë lekë, ose rreth 86 % e totalit ishte kredi e dhënë me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme apo në makineri dhe pajisje.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.