5 vite nga Reforma në Drejtësi, 155 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar dhe 55 të dorëhequr

TIRANË 22 korrik /ATSH-I.Vata/ Reforma në Drejtësi mbush sot 5 vite nga miratimin në Parlament me 140 vota duke lënë pas një histori suksesi jo vetëm në Shqipëri, por një model edhe për rajonin.

Sot, institucionet e reja të drejtësisë funksionojnë, duke u kryesuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që nisi betejën për skanimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke sjell rezultate konkrete.

Rreth 421 gjyqtarë dhe prokurorë janë përballur deri tani me organin e Vetingut, proces kyç i cili ka nisur që në fund të dhjetorit 2017 në kuadër të Reformës në Drejtësi nën asistencën e ekspertëve të SHBA-së dhe BE-së për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë 174 gjyqtarë e prokurorë. Gjithashtu, trupa gjykuese e KPK-së ka shkarkuar nga detyra 155 magjistratë që nuk përmbushnin tre kriteret kyç të procesit të Vetingut, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional.

Po ashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë 56 vendime për ndërprerje procesi (dorëheqje), 8 vendime për pushimin e procesit, 25 vendime për përfundimin e procesit pa vendim përfundimtar dhe 3 vendime për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjeçare.

Edhe në muajin korrik, që Reforma në Drejtësi mbush 5 vite, në kalendarin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë dhjetëra prokurorë dhe gjyqtarë që do t’i nënshtrohen Vetingut.

Institucionet ndërkombëtare, mirëpritën Reformë në Drejtësi dhe vazhdojnë ta mbështesin atë në konsolidimin e saj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.