Zgjidhet Bordi i Akreditimit në Arsimin e Lartë, kryetare Shqiponja Telhaj

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Zgjidhet Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, si dhe kryetarja e këtij bordi.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama i cili thekson se, “Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, përbëhet nga 11 anëtarë që u përzgjodhën mes 117 kandidaturash nga brenda dhe jashtë vendit, shqiptarë e të huaj. Me një falenderim të përzemërt për të gjithë kandidatët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, jam i bindur se falë kësaj pjesëmarrjeje përtej çdo pritshmërie, do të kemi një superskuadër ndërkombëtare në mbikëqyrje të cilësisë së universiteteve tona”.

Gjithashtu Kryeministri Rama thekson se, kryetarja e re e këtij bordi, Shqiponja Telhaj ka dhënë kontribut si këshilltare në Ministrinë e Arsimit të Anglisë kryesisht në fushën e sigurimit të cilësisë në arsim.

“Shqiponja Telhaj, kryetarja e re e Bordit të Akredimit është profesore e asociuar në Sussex University në Angli dhe kërkuese shkencore në Qendrën për Performancë Ekonomike në London School of Economics. Ka doktoruar në Staffordshire University. Ka publikuar 32 artikuj dhe raporte me fokus zhvillimin e politikave të arsimit të lartë, të botuara në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare. Ka kontribuar si këshilltare në Ministrinë e Arsimit të Anglisë kryesisht në fushën e sigurimit të cilësisë në arsim”, tha Rama.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.