UASHINGTON – Marrëveshje SHBA-Gjermani për gazsjellësin ”Nord Stream 2”

UASHINGTON, 21 korrik /ATSH-DPA/ – SHBA-ja dhe Gjermania kanë arritur një marrëveshje në konfliktin e tyre në lidhje me gazsjellësin gjermano-rus ”Nord Stream 2”, tha diplomatja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland.

“Marrëveshja do të paraqitet zyrtarisht gjatë ditës”, sqaroi Nuland në një seancë dëgjimore në Kongres.

SHBA-ja mbetet skeptike për gazsjellësin pothuajse të përfunduar, por administrata e Biden ka sinjalizuar se është e përgatitur të zbusë qëndrimin e saj ndaj gazsjellësit, i krijuar për të transportuar gazin rus në Gjermani duke anashkaluar Ukrainën.

Presidenti Joe Biden dhe kancelarja gjermane Angela Merkel nuk e fshehën faktin se ata vazhdojnë të mos bien dakord për ”Nord Stream 2”, gjatë takimit të tyre javën e kaluar në Uashington.

Biden paralajmëroi Rusinë kundër përdorimit të burimeve të saj të energjisë si një “armë” ose levë kundër fqinjëve të saj./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.