Teatri i ri Kombëtar, Veliaj: Brenda këtij viti nis puna për ndërtimin e tij

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se së shpejti pritet vendimi i qeverisë, i cili do i hapë rrugë ndërtimit të teatrit të ri kombëtar.

Gjatë një interviste televizive Veliaj tha se do të veprohet njëlloj si me shkollat, të cilat ndërtohen nga bashkia e Tiranës, por administrohen më pas nga Ministria e Arsimit, ndërsa në rastin e Teatrit do të jetë Ministria e Kulturës.

“Ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje të Këshillit të Ministrave për të operuar për ndërtimin e teatrit. Ashtu siç bashkia e Tiranës bën për çdo shkollë me Ministrinë e Arsimit, do bëjmë diçka të ngjashme me Ministrinë e Kulturës. Bashkia ndërton, se ka specialitet ndërtimin fizik të ambienteve, kurse Ministria ka përmbajtjen, shfaqjet teatrore,” u shpreh Veliaj.

Ai konfirmoi se ndërtimi i Teatrit do të nisë brenda pak muajsh.

“Do marrë aq kohë sa zgjat procedura e garës, por brenda këtij viti patjetër,” tha kryetari i bashkisë.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.