Shqipëria e Kosova përkujtojnë Sulejman Krasniqin, shkrimtarin simbol të rezistencës dhe frymëzimit të brezave

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Sulejman Krasniqi, shkrimtari i madh shqiptar, i njohur ndryshe si Balzaku i letrave shqipe, u përkujtua sot në një aktivitet të organizuar nga Muzeu Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” dhe agjencia e lajmeve KosovaPress.

Drejtoresha e përgjithshme e KosovaPress, Suzana Rakovica, tha në fjalën e saj se “Sulejman Krasniqi ishte përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, Krasniqi ishte një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare, gjë të cilën ai e dëshmoi duke e reflektuar edhe në veprat e tij”.

“Si simbol i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes, organizimi i këtij aktiviteti të agjencisë së lajmeve KosovaPress në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar “Shtëpia me gjethe” në Tiranë, na e dyfishon emocionin, pasi Sulejman Krasniqi siç kishte në zemër Kosovën prej së cilës e larguan, ashtu kishte në zemër edhe Shqipërinë. Pas shumë vuajtjesh persekutimi, burgosjeje nga regjimi i atëhershëm serb, Sulejman Krasniqi detyrohet që të arratiset nga Kosova në vitin 1958 duke iu drejtuar Shqipërisë, dhe siç shprehej ai: “Kam ardhur në Shqipëri për të mësuar artin luftarak, për të luftuar dhe për të çliruar Kosovën!”” – nënvizoi Rakovica.

Sulejman Krasniqi, vijoi ajo, nuk u shkëput asnjëherë nga Kosova, ndërsa në një ditar reflektonte ngjarjet tragjike deri te lufta e UÇK-së.

“Me të drejtë shkrimtari që shkruajti historinë, u bë vetë pjesë e historisë duke ia kushtuar gjithë krijmtarinë e tij letrare Kosovës për të cilën dëshironte që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë dhe me dinjitet në vendin e tyre”, – tha Rakovica.

Përfaqësuesi i Muzeut “Shtëpia me gjethe” Fabio Toska tha në fjalën e tij se, “Krasniqi ishte i pashembullt në llojin e tij, pasi Sulejman Krasniqi provoi përndjekjen e rreptë në dy vende, fillimisht në Kosovën e vendlindjes dhe nga autoritetet jugosllave atje dhe më pas në arratisjen e tij drejt Shqipërisë, ku provoi burgjet famëkeqe, dhomat e hetuesisë apo kampet e internimit”.

“Krasniqi nuk reshti asnjëherë së dashuri Shqipërinë, popullin shqiptar, dashuri e cila iu kthye padyshim në forcë. Një qëndrestar i tillë i pakërrusur nga regjimi diktatorial apo policitë sekrete meriton një vend nderi ndër ata njerëz, jo të shumtë, që idealet nuk i tradhëtoi kurrë”, – tha Toska.

Prof. dr. Begzat Baliu nga Universiteti i Prishtinës në ligjëratën e tij “Onomastikoni i romanit historik të Sulejman Krasniqit”, tha se “shkrimtarin Sulejman Krasniqi e kam lexuar në tri kohë dhe periudha të jetës sime, në kohën kur emri i tij dhe veprave të tij dhe përgjithësisht i Shqipërisë ku ai ishte strehuar prej dekadash, ishin të ndaluara; në një periudhë tjetër kur emri dhe vepra e tij lexohej pjesërisht dhe në funksion të çlirimit të dijes kombëtare dhe së fundi, në periudhën pas çlirimit të Kosovës, kur veprat e tij ishin të mundura të gjendeshin dhe të lexoheshin të plota e në funksion të mendimit kritik, historik, gjuhësor dhe historiko-letrar”.

Ndërsa kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se “krijimtaria e tij letrare ishte atdhetare dhe heroike. Edhe heronjtë e përshkruar në veprat e Krasniqit, shërbyen për të ngritur ndjenjën atdhetare”.

“Malli për vendlindjen e tij, e brente si ndryshk hekuri, por shpresa se do të kthehet në Kosovën e lirë, nuk iu shua asnjëherë. Dhe ai pati të drejtë që nuk u ligështua pas luftës heroike të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nën emblemën e UÇK-së dhe me ndihmën e popujve të civilizuar Kosova u çlirua. Sulejman Krasniqi u kthye triumfalisht në vendlindje. Njerëzit ishin plakur, dikush kishte vdekur, ai u kthye ne vendlindje ndonëse shumëçka kishte ndryshuar. Kosova e mahniti Sulejmanin e mplakur, i cili mund të kishte menduar që ishte harruar. Ai ishte më i pranishëm nga se kishte menduar. Nxënësit, studentët, mësues e intelektualë të Kosovës kishin lexuar tinëz veprat e tij dhe ishin frymëzuar”, u shpreh Latifi.

Shkrimtari Ilinden Spasse, duke sjellë kujtime nga jeta e Sulejman Krasniqit tha se “Krasniqi më fliste shpesh për luftën që bënte me redaktorët e veprave të tij që nuk arrinin ta kuptonin apo të zbatonin një ligj të pashkruar ku për shkak të kursimeve ishin tkurrur botimet e shkrimtarëve prodhues. Por Sulejman Krasniqi ishte tjetër brum, ai ishte një vullkan që nuk mund të pajtohej me këtë ligj, ndaj shpërthente si vullkan kur ndeshej me redaktorët apo zyrtarë të tillë mediokër”.

Duke falënderuar organizatorët e kësaj akademie, vajza e Sulejmanit, Albana Krasniqi-Malaj u shpreh se si familje po mundohen të mbajnë gjallë emrin e babait të saj.

“Ju falënderojmë ne të tre shumë, për pjesëmarrjen tuaj dhe për respektin që tregoni për babin! Falënderojmë edhe mamin, ajo ka qenë strumbullari i shtëpisë. Kryetari përmendi tim shoq, Naimin, por ne kemi edhe dy nuse të mrekullueshme, Blerinën dhe Armelën, të cilat bëjnë çdo gjë me fëmijët tanë për ta mbajtur gjallë emrin e tij”, – tha Krasniqi-Malaj.

Krasniqi-Malaj tha gjithashtu se “falënderoj komunën e Rahovecit që ka bërë një lidhje në rrënjët tona përmes respektit që ka treguar për babin dhe besoj se do të vazhdojmë përsëri ta përkujtojmë”.

Jeta dhe vepra e Sulejman Krasniqit

Veprimtar i lirisë dhe pedagog, eseist dhe publicist i shquar, poet e dramaturg, novelist e romancier i shkëlqyer, me mbi njëzet vepra të botuara, Sulejman Krasniqi konsiderohet si përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, por edhe një nga kultivuesit më të zellshëm të tyre.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Sulejman Krasniqi, lindi më 7 dhjetor 1937, në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të Vogël.

Sulejman Krasniqi radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare. Disa nga kritikët e quajnë si “Balzaku shqiptar”, të tjerët e vlerësojnë si “shkrimtar i të vërtetës historike”, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë “shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave”.

Në të vërtetë, shkrimtari që shkruajti historinë e u bë më në fund vetë pjesë e historisë dhe pavdekësisë, Sulejman Krasniqi ka qenë shkrimtar i së vërtetës historike dhe simbol i rezistencës e i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes. Ai ishte një figurë komplete si njeri, një intelektual i një kalibri të lartë, një shkrimtar i shquar dhe një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Këtë e dëshmoi me punën dhe veprën e pavdekshme të tij.

Në shtypin periodik dhe ditor Sulejman Krasniqi ka shkruar mijëra faqe si skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete e të tjera dhe ka ka botuar mëse 21 vepra të veçanta, përfshirë këtu edhe romanin e fundit autobiografik, i cili u botua pak kohë para se të ndërronte jetë shkrimtari. Ndër veprat më të njohura janë: “Tri motra, tri histori”, novelë, 1972, “Në shpellën e banditëve”, roman, 1973, “Qielli i përflakur”, roman 1974, “Prijësja e komitëve“, 1975, “Beteja e nëndheshme“, 1976, “Lindita”, 1977, “Rrustë Kabashi”, 1978, “Mic Sokoli”, 1979, “Besëlidhja shqiptare”, 1980, “Pushka top, Bajram Curri”, 1982, “Dardanët”, 1985, “Heronjtë e bores”, 1985, “Oso Kuka”, 1986, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, 1991, “Belbacakja“ 1982, “Rrëfimet e majorit”, 1993, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, 1996, “Rapsodia e kosovares”, 1999, “Rebeli i bajraqeve”, 2010 dhe libri i fundit autobiografik, “Jetëshkrim”, 2011.

Shkrimtari i mirënjohur, Sulejman Krasniqi, lëvroi me pasion historinë duke sjellë që nga viti 1958 në Shqipëri botën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Sulejman Krasniqi u nda nga jeta më 16 korrik 2011.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.