“Shqipëria Buzëqesh”, më shumë se 1 milion e 90 mijë vaksinime deri tani

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer më shumë se 1 milion e 90 mijë vaksinime.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila publikoi mbrëmjen e së mërkurës shifrat e vaksinimit në total deri ditën e sotme.

“Më shumë se 1 milion e 90 mijë vaksinime janë kryer që prej fillimit të këtij procesi jetik. Vetëm përmes vaksinimit mund të frenojmë përhapjen e COVID-19, duke mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur”, – tha Manastirliu.

Gjithashtu ditën e sotme janë kryer 13 029 vaksinime antikovid.

Ministrja Manastirliu publikoi gjithashtu fotografi nga vaksinimi me njësitë e lëvizshme në Sukth të Durrësit.

Prej të hënës në vendin tonë ka nisur java e vaksinimit të hapur për moshën +18 vjeç.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.