SHBA dhuron pajisje për doganën e Kakavijës/ Çuçi: Në bashkëpunim me SHBA, Shqipëria eksporton siguri edhe në botë

TIRANË 21 korrik /ATSH-I.Vata/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka dhuruar disa pajisje për doganën e Kakavijës.

Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit, tha në fjalën e tij se cilësia e shërbimit në pikat e kalimit kufitar është i një niveli shumë më të lartë tashmë, dhe padiskutim kjo e ka bërë Shqipërinë të jetë ndër vendet me sigurinë më të lartë për sa i takon ruajtjes së kufijve të Republikës dhe një vend që ofron shërbime ndaj qytetarëve në cilësinë e standardeve, qofshin këto dhe ndërkombëtare.

“Me qeverinë e SHBA ne kemi një bashkëpunim shumë të gjatë, mbi 30-vjeçar, dhe padiskutim dhe një nga fushat kryesore ku është mishëruar ky bashkëpunim ka qenë edhe siguria. Dhe ka qenë ky bashkëpunim që ka bërë të mundur që Shqipëria eksportoi siguri edhe në botë, por të jetë edhe vetë një vend me kufij shumë të sigurtë. Sigurisht, siguria kërkon investime të vazhdueshme dhe mbajtja e kësaj sigurie dhe këtij standardi kërkon investime të vazhdueshme, sepse jetojmë në një botë ku teknologjia zhvillohet me një shpejtësi të madhe dhe ne duhet t’u përgjigjemi të gjitha sfidave që sjell zhvillimi i teknologjisë”, tha ai.

Çuçi shtoi se, “është rasti të falenderojmë qeverinë e SHBA-së për të gjithë këto pajisje që i ka dhuruar qeverisë së Shqipërisë, pikërisht në rritjen e sigurisë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. Pajisje të tilla si kamera termike apo sistemi i lëvizshëm për matjen e radioaktivitetit në kufi, apo skaneri portativ, apo motocikleta me kalueshmëri të lartë, pra të gjitha këto i vijnë në ndihmë rritjes së standardit të menaxhimit të kufijve, gjë që ka bërë që sot të jemi në këtë nivel kaq të lartë ku ndodhet Shqipëria, për sa i takon këtij aspekti”.

“Kështu, besoj se gjithë ky arsenal pajisjesh, i bashkuar me trajnimin e vazhdueshëm të personelit që i përdor pajisjet, si dhe prezenca e forcave evropiane FRONTEX, besoj tashmë se ky standard i arritur mund të thuhet pa frikë, është një standard i qëndrueshëm dhe i pacenueshëm”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.