Rama publikon maketin e përfunduar nga Emaar Group, ja si do të transformohet Porti i Durrësit


TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Porti i Durrësit do të transformohet në Marinën më të madhe në Mesdhe, një investim, më i madhi i huaj në Shqipëri prej 2 miliardë eurosh nga Emaar Group.

Kryeministri Edi Rama ndau sot maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, të transformimit të portit të Durrësit.

“Mirëmëngjes dhe me maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, që tani ndodhet në Portin e Durrësit, aty ku së shpejti do të nisë të ndërtohet një prej porteve më të mëdha e më të bukura turistike të Mesdheut, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh kryeministri Rama.

Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit, një investim i cili pritet të transformojë totalisht pamjen dhe kapacitetin e këtij porti, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe kombëtare.

Marina turistike e parashikuar, pritet të ketë hapësirë dhe kapacitete dyfish më të mëdha, krahasuar me marinën më prestigjioze në Mesdhe deri më tani, që është ajo e Porto Montenegros.

Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.

Kompania Emaar, përveç transformimit të hapësirës portuale, synon një mori investimesh transformuese, duke përfshirë rindërtimin e pjesës së bregut të detit, ku do të ndërtohen dhe ambiente argëtuese, qendra tregtare, apartamente e ndërtime hotelerie me 5 yje.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.