Rakacolli: Nuk kemi ende konfirmim zyrtar për variantin Delta, qytetarët të vaksinohen

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi sot se nuk kemi ende konfirmim zyrtar për praninë e variantit Delta.

Në një intervistë televizive Rakacolli tha se “specialistët thonë që ka sinjale që duhet të jenë të Deltës, por ne presim një konfirmim në laboratorët që i bëjnë më të hollësishme këto analiza”.

Zv/ministrja Rakacolli u shpreh se “jemi në alert për të parë se çfarë do të ndodhë sepse pavarësisht situatës së qëndrueshme të këtij muaji të fundit, kemi një rritje të lehtë të rasteve. Por duhet të presim të shohim trendin se si do të shkojë puna”.

“Indikatori më i rëndësishëm monitorues i situatës është numri i fataliteteve dhe i pacientëve në kujdes intensiv. Nuk mund të themi që virusi është më i dobësuar në këtë periudhë. Nuk mund të gjykosh për agresivitetin e virusit me kaq të shtruar sa kanë qenë gjatë kësaj periudhe, por me analizat e bëra”, nënvizoi Rakacolli.

Sipas saj, është shumë i dukshëm roli i vaksinave në këtë situatë.

Rakacolli i bëri apel qytetarëve që të vaksinohen.

“Ne kemi rritje rastesh, pak rëndësi ka se çfarë varianti është, e rëndësishme është që masat për të gjithë janë njësoj. Rritja e rasteve është shqetësuese dhe duhet të vrapojmë nëpër qendrat e vaksinimit, çdo qytetar duhet të vazhdojë masat dhe të rendi drejt vaksinimit. Pandemia nuk ka mbaruar”, – tha Rakacolli.

Ajo shtoi se “pavarësisht situatës së qëndrueshme gjatë muajit të fundit kemi një rritje të lehtë të rasteve”.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.