Porti i Liverpool-it humbet vendin në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s

LONDËR, 21 korrik /ATSH-AFP/ – UNESCO ka hequr portin e Liverpool-it nga lista e tij e vendeve të Trashëgimisë Botërore për shkak të mbizhvillimit së këtij porti ikonik anglez të epokës industriale.

Trembëdhjetë delegatë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s votuan për heqjen e këtij porti në veriperëndim të Anglisë nga lista, ku u klasifikua në 2004, kurse pesë votuan kundër.

“Planet e rizhvillimit të portit, ndërtesat shumë të larta dhe një stadium i ri futbolli, rrezikojnë të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë e Liverpool-it”, tha komiteti i UNESCO-s.

Liverpool bëhet kështu vendi i tretë që i nënshtrohet kësaj mase jashtëzakonisht të rrallë.

Vetëm dy vende ishin hequr më parë nga kjo listë, e cila ekziston që nga viti 1972.

Rezervati i oriksit arab (një lloj antilopë) u hoq në 2007 pas vendimit të Omanit për të zvogëluar këtë zonë me 90%, për një projekt kërkimi hidrokarburesh, kurse dy vjet më vonë u hoq lugina e Elbës në Dresden (Gjermani) për shkak të projektit të ndërtimit të një ure rrugore.

Liverpool u rendit si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2004, pas një rehabilitimi ambicioz të bregdetit dhe dokeve.

Porti i nisjes për miliona migrantë irlandezë dhe britanikë, si edhe skllevër afrikanë, qyteti me një trashëgimi të pasur muzikore është gjithashtu vendlindja e Beatles, një histori që trilloi atë që UNESCO e konsideroi si “veçorinë dhe unicitetin” e Liverpool-it./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.