Në kreditimin e individëve, kryeson huadhënia konsumatore

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Standardet e kreditimit për individët vijuan lehtësimin edhe në tremujorin e dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, lehtësimi i standardeve për individët u arrit nëpërmjet segmentit të kredisë konsumatore, ndërkohë që në kreditë për blerjen e banesave standardet nuk ndryshuan nga një tremujor më parë.
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistem bankar, si edhe prej perceptimit të bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit.

Kredia konsumatore është një instrument shumë i rëndësishëm për të nxitur konsumin në ekonomi.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se në muajin maj të këtij viti, sektori bankar dha rreth 2.5 miliardë lekë kredi konsumatore, ose 2.5 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kredia e re për qëllime konsumi u rrit në 11 miliardë lekë gjatë 5-mujorit të parë 2021, ose 43 % më shumë krahasuar me 5-mujorin e parë të vitit 2020.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli total i kredisë konsumatore në fund të majit arriti vlerën 53 miliardë lekë.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.