Këshilli i Sigurimit, nisin intervistat me kandidatët që do të përfaqësojnë Shqipërinë

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nisi sot intervistat me kandidatët për ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila theksoi se, “kandidatët do të vlerësohen nga një Komision i përbërë nga disa nga diplomatët më me përvojë të MEPJ dhe një përfaqësuese e lartë e Këshillit të Ministrave”.

“Është dita e parë e një procesi që do të përmbyllet në fund të kësaj jave, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve si nga përfaqësues të Shërbimit të Jashtëm, ashtu edhe nga kandidatë nga qytetarë e qytetare shqiptare nga mbarë bota, ekspertë e profesionistë, që kanë shprehur vullnetin të kontribuojnë duke përfaqësuar vendin e tyre si pjesë e Ekipit”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaça falënderon të gjithë ata që kanë aplikuar, për dëshirën dhe vullnetin e mirë.

“Ekipi që do të dalë në fund të këtij procesi do të jetë zëri dhe fytyra e shqiptarëve në Këshillin e Sigurimit, prandaj do të bëjmë çdo gjë që shqiptarët të përfaqësohen në këtë moment historik vetëm nga profesionistët më të mirë”, tha Xhaçka.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.