“International Folk Festival Tirana”, promovim i Tiranës turistike

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Para pak ditësh bashkia e Tiranës i dha shumë rëndësi sezonit turistik veror 2021 dhe synimi ishte që Tirana si qytet të promovonte të gjitha vlerat e saj folklorike, historike dhe më tej.

Pjesë e kësaj fushate të promovimit të kryeqytetit është edhe eventi më i fundit që do të organizohet në Tiranë, që është “International Folk Festival Tirana”.

Ky event mbështetet edhe nga shoqata “FIDAF Albania” dhe do të marrin pjesë rreth 83 shtete nga mbarë bota si Kameruni, Meksika, Polonia, Greqia, Mali i Zi, Serbia etj.

Grupet folklorike që do të përfaqësojnë shtetet përkatëse do prezantojnë kulturën dhe traditën e tyre, sidomos për sa i përket folklorit me anë të valleve, këngëve dhe muzikën.

Përpos këtyre vlerave që do të dalin në pah nga ky event, pjesë e projektit do të jetë edhe vizita apo mbajtja e aktivitetit në pikat dhe vendet turistike të Tiranës, të cilat synojnë që nëpërmjet transmetimit live që do të bëhet për të 83 vendet pjesëmarrëse, të promovohen njëkohësisht edhe këto vende që konsiderohen si atraksione turistike.

Synohet që trashëgimia kulturore tiranase të prezantohet dhe të kthehet në njëfarë mënyre si një atraksion, që më pas të vizitohet nga turistë të huaj.

Gjatë datave 22 deri 25 korrik që do të zhvillohet ky event kaq i rëndësishëm për herë të parë në kryeqytet, ai do të përfaqësohet me trupën profesioniste të Ansamblit Folklorik Tirana që është krijuar dhe mbështetur pikërisht nga bashkia e Tiranës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.