FOKUS – Izraeli: Sulmet kibernetike një nga kërcënimet më të mëdha për të gjithë botën

TEL AVIV, 21 korrik /ATSH-ANSA/ – Sulmet kibernetike përfaqësojnë një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë kombëtare për të gjithë botën, deklaroi kryeministri izraelit, Naftali Bennett në një konferencë të organizuar nga Universiteti i Tel Avivit.

“Ne jemi të detyruar të mbrohemi dhe për këtë arsye kemi krijuar një organ kombëtar mbrojtjeje kundër sulmeve kibernetike, të ngarkuara edhe me mbikëqyrjen e infrastrukturave tona kombëtare si uji, energjia elektrike dhe ndërmarrjet private”, theksoi ai.

Kryeministri  ende nuk ka bërë referencë mbi historinë e kompanisë izraelite NSO, subjekt në median ndërkombëtare pas akuzave për përfshirje në spiunazh përmes programit të saj ”Pegasus”.

Në vend të kësaj, Bennett përsëriti se ”aftësitë kibernetike të zhvilluara në Izrael mund të pengojnë sulmet që u nisën nga vendet armike kundër vendeve palëve të treta”.

”Është e rëndësishme që ne punojmë së bashku për të siguruar mbrojtjen e internetit. Ftojmë vendet me synime të mira nëpër botë që të bashkojnë forcat me ne për të krijuar një mbrojtje globale të internetit”, tha Bennett./ /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.