Bong Joon-ho kryeson jurinë e Festivalit të Filmit në Venecia

ROMË, 21 korrik /ATSH-AFP/ – Regjisori koreano-jugor i “Parasite”, Bong Joon-ho do të kryesojë jurinë e Festivalit të ardhshëm të Filmit në Venecia, njoftuan sot organizatorët.

Edicioni i 78-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator në Serenissima.

Bong Joon-Ho do të ndihmohet nga disa emra të mëdhenj, përfshirë regjisoren kineze Chloé Zhao, e cila, me filmin e saj “Nomadland”, fitoi tre çmime Oscar këtë vit, përfshirë atë si “Filmi më të mirë”.

Përkrah tij do të jetë edhe aktorja franceze, Virginie Efira, e cila u prezantua në Kanë si protagoniste në filmin “Benedetta” nga Paul Verhoeven, që vë në skenë dashurinë e apasionuar midis dy murgeshave në një manastir të Mesjetës.

Regjisori dhe skenaristi italian, Saverio Costanzo, autor i serialit “Shoku i mrekullueshëm”, i marrë nga bestseller-i eponim i shkrimtares Elena Ferrante, do të jetë gjithashtu në jurinë e Mostra-s së Venecias.

Juria plotësohet nga britanikja Cynthia Erivo, aktore, këngëtare dhe kompozitore, nga kanadezja Sarah Gadon, aktore dhe producente, si edhe regjisori rumun Alexander Nanau./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.