AZHBR: Në dy vite janë investuar 120 milionë euro për modernizimin e bujqësisë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u shpreh se, “në këto dy vite të implemetimit të programit IPARD II, deri tani janë injektuar 120 milionë euro investime për modernizimin e bujqësisë shqiptare sipas standardeve të BE-së”.

Në një intervistë në media, Krifca tha se “AZHBR ka firmosur 314 kontrata investimesh, për financim grant nga programi IPARD II, në sektorin e prodhimit bujqësor, agropërpunimit, qendrave të grumbullimit dhe agroturizëm”.

“Kemi financuar 54 milionë euro grant për subjektet që kanë ndërmarrë projekte investimesh në sektorin e bujqësisë, mbështetje e cila ka rritur në 10 mijë numrin e të punësuarve dhe ka nxitur eksportet “Made in Albania” në tregjet e huaja”, deklaroi ajo.

Ndërsa vuri në dukje se këto janë investime të mëdha dhe të rëndësishme, të cilat kanë mundësi të shndërrojnë totalisht të gjithë infrastrukturën bujqësore në vend, në aspektin e zhvillimit të agropërpunimit dhe diversifikimit të fermës, prej të cilave mundësohet shtimi i kapaciteteve prodhuese në vend, për sa i përket sektorit të fruta-perimeve, blegtorisë, qumështit, mishit, vreshtarisë e të verës.

Programi IPARD II, i bashkëfinancuar nga BE dhe qeveria shqiptare me vlerë 94 milionë euro, financon me grant fermerët dhe sipërmarrësit që investojnë në sektorin rural.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.