Vizioni 2030, Rama në Vjenë: Universitete prestigjioze europiane në Shqipëri

TIRANË, 20 korrik/ ATSH/ Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë brenda ditës në Vjenë, në mbështetje të drejtëpërdrejtë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të hapur dialogun me rektorin dhe drejtuesit e Universitetit të mirënjohur austriak BOKU.

Mbi këtë vizitë kryeministri Rama thekson se, “synojmë lidhjen e një partnershipi strategjik, në kuadër të një prej programeve prioritare të Vizionit Shqipëria 2030, që synon hapjen e madhe të universiteteve tona ndaj universiteteve prestigjioze europiane, deri në njehsimin e diplomave”.

Në fjalën e tij gjatë këtij takimi Rama shprehet se, “arsyeja pse jemi këtu dhe pse erdha personalisht është se i japim rëndësi shumë të madhe programit të qeverisë që do të jetë një prej përparësive të mandatit tjetër që nis nga shtatori. Dhe që ka të bëj me përpjekje për të bërë bashkë dhe për të krijuar sinergji të plota midis universiteteve shqiptare dhe atyre europiane”.

“Në këtë rast jemi këtu me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili është një universitet me një traditë mjaft të shquar. Erdha vet për t’u siguruar që, përmes pranisë time, ju të kuptoni sesa rëndësi ka kjo për ne dhe mezi presim ta bëjmë realitet këtë. Me pak fjalë, do thoja që ëndrra jonë është të kemi universitetin tuaj në funksion të plotë në Shqipëri, çka nënkupton të krijojmë të krijojmë së bashku procesin, që natyrisht do kërkoj hapat e nevojshme dhe me gjasë, të finalizojmë këtë proces si sinergji e plotë midis universitetit tonë dhe tuajin dhe për të patur universitetin jo vetëm si Universitet Bujqësor dhe të Zhvillimit Rural për Shqipërinë, por për gjithë rajonin”, shprehet Rama.

Ai thekson se, “ju e dini se sa shumë rëndësi i kushton Austria Ballkanit, prej shekujsh, po edhe qysh prej ndryshimit e përgjatë gjithë tranzicionit drejt ndërtimit të një shteti funksional demokratik. Qeveritë austriake, pavarësisht nga ngjyra e partisë që udhëhiqte koalicionin, kurrë nuk është lëkundur në vullnetin e saj për të mbështetur Ballkanin dhe Shqipërinë, dhe ne morën një reagim të parë mjaft entuziast nga ana e qeverisë por natyrisht, në të njëjtën kohë, ju jeni qeveri më vete pasi punoni në kuadrin e autonomisë pasi universitetet janë në njëfarë mënyrë qeveri më vete”.

“Ndaj jam këtu së bashku me ministren e Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, gjithashtu dhe me drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Rural, me rektorin, me zëvendës rektorin, me zëvendës ministren e arsimit; për të kuptuar pikë së pari se cili është potenciali për këtë bashkëpunim dhe deri ku mund të shkojmë e më pas edhe për të kuptuar se si duhet ta nisim prej këtej për ta strukturuar këtë bashkëpunim dhe çfarë është e nevojshme, bazuar në legjislacionin austriak, që duhet bërë mes dy qeverive, pasi ndoshta na duhet të kemi një marrëveshje midis dy qeverive apo diçka e ngjashme. Ky është paksa prezantimi i misionit tonë këtu. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu”, tha Rama.

“Unë jam dakord që, nuk e di në sa shumë vjet do bëhet kjo sepse e di që nuk është një proces që mund të ndodhë brenda kësaj dekade, deri në 2030, nëse kemi universitete të cilat janë më të mirat e Europës, që janë të pranishme aty, pra njerëzit mund të thonë që dua të shkoj tek Boku por nuk kam nevojë të largohem nga shtëpia e të le vendin, thjesht shkoj në Tiranë dhe e kam Bokun aty. Kjo është ideja. Kjo natyrisht mund të ndryshojë të gjithë paradigmën e Ballkanit Perëndimor sepse pastaj e gjithë zona do ketë energji të re dhe të rinj të cilët do të vijnë. Kur të fillojë kjo përvojë, të tjerë do përpiqen t’i bashkohen.
Kemi parë një feedback mjaft të mirë nga BE lidhur me këtë. Ata kanë caktuar një buxhet të posaçëm për universitetet që do arrijnë të hyjnë në këtë proces për t’i paguar ata më shumë”, vijoi ai.

Rama shton se, “është një horizont krejt i ri për tu arritur por natyrisht koha do ta tregojë, koha do ta tregojë, praktika do ta tregojë por kjo është thjesht një të menduarit jashtë kornize për të krijuar këtë mozaik universitetesh që u ofrojnë studentëve tanë të njëjtin rrugëtim drejt arsimimit dhe një punësim të vlefshëm”.

“Ky është tashmë takimi i katërt ose i tretë që po zhvilloj unë vetë personalisht. Kemi zhvilluar bashkëbisedime me universitetin e Janinës për një universitet që ne kemi në juglindje, kemi nisur bashkëbisedim me universitetin Politeknik të Barit për një tjetër universitet tonin në jug dhe për këtë universitet ne donim të vinim këtu sepse ky universitet është kyç”, vijon Rama.

“Bujqësia do vazhdojë të jetë e rëndësishme në vend, eksportet kanë potencial të madh. Po kështu dhe sfidat e mjedisit dhe ujit, ju e dini, e njihni shumë mirë Shqipërinë, janë të mëdha. Kemi nevojë për këtë por edhe zhvillimi i qëndrueshëm, absolutisht, pasi mendoj se duhet shmangur të bëhen të njëjtat gabime që kanë bërë vendet e tjera në këtë hap drejt zhvillimit”, theksoi Rama.

“Thjesht përmenda disa sepse kjo është një qasje gjithëpërfshirëse dhe një qasje me këmbë në tokë, në kuptimin që ju keni shkencën më të mirë por ne jemi në terren, nuk jemi si një institucion që jeton në flluskë. Në fund, e mësuam në kurriz që vendet nuk dallojnë në bazë të asaj që kanë por në bazë të asaj që dinë. BE mund të ketë gjithçka”, përfundoi Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama gjatë vizitës në Vjenë zhvilloi një takim me Ministren e Bujqësisë dhe Turizmit të Austrisë, Elisabeth Koestinger.

Kryeministri Rama bën të ditur se në fokus të takimit ishte lidhja mes Universitetit Bujqësor të Tiranës e Universitetit Austriak BOKU, si dhe bashkëpunimi bilateral në fushën e zhvillimit rural e turistik.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.