Rama uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Kurban Bajramin

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Rama publikoi pamje nga xhamia e Et’hem Beut, ndërsa shkruan “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.