Politika uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Meta: Festë e shenjtë dhe vëllazërore

“Gëzuar Kurban Bajramin! Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane! Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!”, shprehet Meta.

“Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë”, tha Meta.

“Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”. Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet”, shprehet në urimin e tij Meta.

Ruçi: Traditat myslimane vlerë e shtuar e qytetërimit shqiptar

“Me rastin e Kurban Bajramit, kësaj dite të bekuar, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet dhe lumturi në vatrat familjare”, shprehet Ruçi.

“Dita e Kurban Bajramit është dita e rritjes shpirtërore, faljes dhe bashkimit. Është një ditë meditimi. Reflektimet e çdo besimtari le të bashkohen e të shkrihen në reflektimet e shoqërisë, dhe të klasës politike, dhe t’i shtyjnë të gjithë të punojnë më shumë për një Shqipëri më të mirë”, tha Ruçi.

“Shqipëria u është mirënjohëse komunitetit mysliman dhe të gjithë besimtarëve, sepse myslimanët shqiptarë janë ndër komunitetet më progresive të 1.5 miliardë besimtarëve myslimanë të planetit”, vijon mesazhin e tij Ruçi.

Ruçi thekson se, “myslimanët shqiptarë janë një komunitet fetar, human, tolerant dhe progresiv, të dedikuar për bashkëjetesën, paqen dhe drejtësinë sociale, të angazhuar në luftën ndaj varfërisë, pabarazisë dhe vështirësive të jetës”.

“Traditat myslimane janë një vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve. Besimtarët myslimanë kanë ndarë me të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë sakrificat, përgjegjësitë dhe kontributet për avancimin e Shqipërisë, rritjen e mirëqenies, lartësimin e vlerave të shqiptarëve, për paqen, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve”, tha Ruçi.

“Mirënjohje të thellë për mbështetjen që komuniteti dhe besimtarët myslimanë u dhanë besimtarëve dhe të gjithë qytetarëve për t’i mbijetuar pandemisë. Sot është dita të gëzojmë të gjithë dhe gëzime paçi ngahera në familjet tuaja”, përfundon mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Basha: Tradita e ndarjes së të mirave me të afërmit në nevojë, shenjë përgjegjësie 

“Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit! Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët!”, shprehet Basha.

“Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit. Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.

Spiropali: Kurban Bajrami, ditë që na afron dhe na bashkon

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë “gëzuar të gjithëve Ditën e madhnueshme të Kurban Bajramit”.

“Gëzuar këtë Ditë që na afron dhe na bashkon rreth cilësive më të larta njerëzore: sakrificës, durimit, urtësisë, butësisë, dhemshurisë, mëshirës. Gëzuar Ditën që na sjell në vëmendje faktin se sado të ndryshëm dukemi, para Zotit të gjithë njësoj jemi. Gëzuar këtë Ditë të bukur që na jep rastin ta dëshmojmë çdo herë se besimet e ndryshme nuk na ndajnë, por na bashkojnë”, uroi Spiropali.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.