Ish-kooperativat bujqësore që do t’u njihet vjetërsia në punë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Mungesa e dokumentacionit për vitet e punës për ish-punonjësit e kooperativave bujqësore ka penalizuar këta të fundit për të marrë pensionin e pleqërisë.

Për të ndihmuar ish punonjësit, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit miratoi listën e ish-kooperativave bujqësore për të cilat nuk disponohet dokumentacioni i vjetërsisë në punë.

Në mbështetje të ligjit nr. 169/2020, “Për njohjen si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore”, Këshilli i Ministrave ka miratuar tre lista të ish-kooperativave bujqësore për të cilat nuk disponohet dokumentacioni vjetërsisë në punë.

Në listën e parë janë përfshirë 18 ish-kooperativave bujqësore për të cilat konstatohet i munguar i gjithë dokumentacioni i vjetërsisë në punë.

Në listën e dytë gjenden 15 ish-kooperativa bujqësore për të cilat konstatohet i munguar i gjithë dokumentacioni për sektorë apo fshatra të veçantë, në përbërje të saj.

Ndërsa në listën e tretë janë renditur 39 kooperativa, fshatra apo sektorë për të cilat disponohen vetëm 1 apo 2 regjistra.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.