Festa e Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës thirrje për paqe dhe solidaritet

PRISHTINË, 20 korrik/ATSH/- Besimtarët myslimanë si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë, sot  kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Namazi i sabahut është falur në orën 4:40.

Mesazhi i kësaj feste këtë vit u përqendrua të rëndësia e familjes duke kundërshtuar, siç u tha, nismat moderne që godasin familjen e shëndoshë. Këto qëndrime u tha se janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Zotit dhe kundër natyrshmërisë së njeriut.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, që dha mesazhin e festës fillimisht u ndal të rëndësia e festë së Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët, festë kjo që vjen pas kryerjes së haxhit.

“Festa e Kurban e Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë sepse vjen pas përfundimit të haxhit në vendet e bekuara dhe therjes së kurbanit. Haxhi është ndër kushtet themelore të fesë islame i cili kryhet në kohë të caktuar, në vend të bekuar dhe kushte të veçanta ku në mënyrën më të mirë manifestohet barazia, drejtësia, uniteti, pendimi e reflektimi për punë e vepra të mira. Qëndrimi në arafat është ndër momentet më të veçanta për besimtarët myslimanë ngase në atë vend kuptimi i lutjes dhe ibadeti ka vlerë e peshë të veçantë”, tha Tërnava.

Myftiu i Kosovës tha se prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhje gjaku, por mbi të gjitha është përkushtim, bindje e sakrificë dhe dëshmi e devotshmërisë së besimtarit për Zotin. Sipas tij, prerja e kurbanit është obligim për të gjithë ata që kanë mundësi që është një shenjë afrie dhe devotshmërie për Krijuesin.

Begatia e rëndësishme e kësaj feste u tha se është edhe sofra e Bajramit e cila në bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjet e të afërmit tanë e na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe përkrahjen tonë.

Tërnava u shpreh se nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë botë se sa ruajtja e familjes dhe edukimi i saj i drejtë.

“E kemi për obligim fetar por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen. Ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Për ne familje është e shenjtë prej secilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe llojit njerëzor mbi tokë. Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përben një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe forca dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit”, vijoi Tërnava.

Ai tha se si shoqëri kemi traditën shumëshekullore në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave familjare që e kemi të trashëguara nga të parët tanë. Sipas tij,  mbështetja në familje na ka bërë të mundur që të përballemi me stuhi nga më të ndryshme, por ia kemi dalë gjithherë faqebardhë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.