“Eja në shtëpi”, Rama i uron mirëseardhjen shqiptarëve të diasporës në sezonin turistik

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u uroi sot të gjithë shqiptarëve të diasporës mirëseardhjen në shtëpinë e tyre, gjatë sezonit turistik.

Me anë të një videoje promovuese me pamje nga bukuritë e natyrës dhe traditave të vendit tonë, qytetarë me profesione të ndryshme ftojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në Shqipëri për sezonin veror përmes motos “Eja në shtëpi”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë urim mirëseardhës për shqiptarët e diasporës në shtëpinë e tyre gjatë stinës së verës, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen nga shqiptarët, por edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.