Shqipëri-Mali i Zi, bashkëpunim për inspektimet online

TIRANË, 17 korrik/ATSH/- Inspektorati Qendror nënshkroi një  “Memorandum Bashkëpunimi” me Administratën për Çështjet e Inspektimit të Malit të Zi.

Memorandumi u nënshkrua nga Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari dhe Ilir Harasani, Drejtor i Administratës për Çështjet e Inspektimit të Malit të Zi.

Kjo është marrëveshja e tretë e bashkëpunimit, pas asaj me Inspektoratin e Bosnje Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Përvoja jonë e suksesshme, për t’i kryer inspektimet me procedura strikte ligjore, online, ka marrë interes dhe po implementohet jo vetëm në vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë. Formalizimi i ekonomisë, lufta kundër korrupsionit, ulja e barrës administrative për biznesin është angazhim i Inspektoratit Qendror për të cilin jemi vlerësuar edhe nga organizmat ndërkombëtare si OECD, IGA, Sigma, USAID, GIZ etj”, thekson Hajdari.

“Për ne është vlerësim që edhe Ilir Harasani, Drejtor i Administratës për Çështjet e Inspektimit të Malit të Zi, ndërmori këtë angazhim, sot në Tiranë, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy institucioneve homologe”, nënvizon ai.

Ky bashkëpunim, deklaroi Hajdari, ka për qëllim nxitjen e shkëmbimit të informacionit në lidhje me përvojat në rregullimin e inspektimeve në inspektoratet shtetërore dhe vendore.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.