Arrestohet 30 vjeçari në Durrës, iu sekuestruan 2 mina me telekomandë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Një 30 vjeçar nga Durrësi u arrestua nga policia, pasi akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në kuadër të operacionit të koduar “Parandalimi”, policia arrestoi E.Th, 30 vjeç,

banues në Katund i Ri, Durrës.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit E. Th., i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt shumës 6000 euro.
Sipas policisë, 30 vjeçari u arrestua falë operacionit të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative policia u informua se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.