“Bëje ose Vdis”, ekspozita kushtuar Ukshin Hotit

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në Kalanë e Tiranës u çel ekspozita me titull “Bëje ose Vdis”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit.

Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ku janë pasqyruar fotografi familjare, fotografi nga arsimi që ka kryer, shkrime gazetash dhe revistash, letra të Ukshin Hotit nga burgu si dhe vlerësimet e intelektualëve dhe personaliteteve të rëndësishme për veprimtarinë e tij, etj.

Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin administratorja e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, të afërm dhe i biri i Ukshin Hotit.

Në fjalën e tij, Zyberaj vlerësoi shumë figurën e Ukshin Hotit dhe tha se personaliteti i tij është shumë dimensional.

“Ka qënë publicist, pedagog, drejtues i institucioneve më të larta, themeluesi i Ministrisë për Punët e Jashtme të Kosovës në vitet ’70 dhe më pas ka qënë dhe i burgosur politik disa herë. Ekspozita mban titullin “Bëje ose Vdis”, titull ky i marrë nga një punim i Ukshin Hotit i vitit 1992 me këtë titull”, – tha Zyberaj.

Ndërkaq drejtori i Arkivave, Bido tha se figura e Ukshin Hotit është një figurë madhore bashkëkohore shqiptare.

“Figura e Ukshin Hotit duhet njohur më shumë nga rëndësia e tij pasi profilin e tij intelektual dhe politik e krijoi duke ruajtur të njëjtat standarte të ideologjisë shqiptare”, – tha Bido.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Kalanë e Tiranës deri në datën 18 korrik.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.