Basha takon Abazoviç: Zhvillimi ekonomik dhe integrimi europian, objektivat që na bashkojnë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Pas takimit në një dalje të përbashkët për mediet, Basha tha se, “temat tona të diskutimit natyrisht kanë variuar nga demokracia tek politikat rajonale dhe tek objektivat që na përbashkojnë, zhvillimi ekonomik i vendeve dhe i popujve tanë dhe integrimi europian i dy vendeve tona pas përmbylljes me sukses të sfidës së Malit të Zi për tu anëtarësuar në NATO si anëtari më i ri, natyrisht edhe me mbështetjen e Shqipërisë. Ndaj dua t’i uroj edhe personalisht për këtë vizitë të parë zyrtare në Tiranë dhe në selinë e Partisë Demokratike, sukses në misionin e tij fisnik, sfidues si zëvendëskryeministër i qeverisë së Republikës së Malit të Zi dhe si një etalon i guximit për të modernizuar dhe vënë në funksion të qytetarëve politikën si një instrument ndryshimi”.

Abazoviç deklaroi se, “ne kemi biseduar gjëra konkrete, sfida, të cilat i kemi pasur në Malin e Zi, para se të vinte ky ndryshim, sfida të cilat janë pak a shumë të njëjta. Duhet më tepër të përshtatemi normave europiane, të jemi të sigurt që atë që promovojmë duam dhe ta realizojmë në të vërtetë”.

“Besoj se koha është për një frymë te re europiane në të gjithë trevat tona. Është shumë e vështirë, institucionet nuk janë tepër funksionale, por pa marrë parasysh, detyra jonë si qytetarë, si kolegë, si politikanë, si njerëz, të cilët e shohim të ardhmen në shtetet tona, nuk ka lidhje a i sheh në Mal të Zi a në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër është të ndajmë maksimumin si të fusim pak më shumë etikë në jetën politike. Pak më shumë të jemi të detyruar që të bëjmë gjëra konkrete, mos të merremi me punë koti, mos të ngremë elektricitet në shoqëri, qoftë brenda shteteve apo brenda një shteti, unë mendoj se me Shqipërinë nuk ka asnjë pyetje e cila është e hapur. Jemi dakordësuar se me Malin e Zi deri tani ka funksionuar në mënyrë shumë të mirë dhe shumë paqësore, miqësore, vëllazërore”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.