137 pika grumbullimi në të gjithë vendin/ Me mbështetjen e AZHBR-së, Arturi nga Frakulla e Fierit arrin 2.6 milionë euro eksporte

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Me mbi 20 vite përvojë në sektorin e Bujqësisë, Artur Vrushi, sot ka pikën e tij të grumbullimit në Frakull, Fier, të ngritur falë skemave mbështetëse përmes AZHBR.

Vrushi e ka nisur punën e parë me shitje në tregje të vogla, ndërsa tashmë mbi 500 fermerë, e kanë një vend të sigurt për të sjellë produktin, faktor kyç i vendit për eksportin e prodhimeve shqiptare drejt BE.

Vetëm vitin e kaluar vlera e eksporteve prej tij ka shkuar në shifrën e 2.6 mln €.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) Frida Krifca pa nga afër punën e bërë nga Vrushi në Frakull të Fierit.

Vrushi tha se “jam fitues i skemës së AZHBR-së, falë investimit të kryer këtu punë është ngritur konsiderueshëm kemi shtuar kapacitetin e punonjësve dhe të fermerëve që sjellin produktet në pikën tonë”.

Odise Çepele tha se “po bëj 10 vjet që jam kthyer nga Greqia dhe investova në bujqësi, por 4 vitet e fundit po punoj me Arturin tek kjo pikë”.

Një fermer që kultivon luleshtrydhe u shpreh se kur nuk ishte pika e grumbullimit i shiste luleshtrydhet në treg. “Në fillim e nisa aktivitetin me 1 dynym tani kemi rreth 2 ha”, theksoi ai.

Krifca tha se “është i rëndësishëm impakti që kanë investimet në pikat e grumbullimit të tilla, sepse përafërsisht se investimin e merr pronari i pikës së grumbullimit, impakti shkon drejtpërdrejt tek fermeri. Ky financim realisht është rrjetëzuar në të gjithë gamën e 400 mijë fermerëve që gjenden sot në Shqipëri”.

“Si historia e Arturit në Frakull të Fierit ne kemi 137 pika grumbullimi në të gjithë Shqipërinë. Prej tyre vetëm 28 janë dhoma frigoriferike me kapacitete dhe volume grumbullimi frigoriferik, prej 32 mijë metër kub, të cilat kanë qëllim ta ruajnë dhe standardizojnë produktin për eksport. Pikërisht kjo mbështetje e këtyre lloj investimeve ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë në krah të fermerëve për tu bërë eksportuesi i parë në rajon për eksportin e perimeve dhe i dyti në rajon për eksportin e frutave. Në bashkëpunim të plotë fermerë dhe pika grumbullimi ne do të vijojmë punën tonë”, – theksoi Krifca.

/k.s/j.p/

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.