Shkelje të rregullave të prokurimit publik/ SPAK arreston 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme

TIRANË, 10 korrik/ATSH/- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Sipas  informacioneve të publikuara, me urdhër të SPAK është arrestuar ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

Nga aktet e administruara nga SPAK ka rezultuar se më datë 11.05.2020 në agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” për 4 vjet me fond limit 2.800.347.570.

Gjatë hetimeve janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me titullarin e organit qendror blerës, Drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj 8 të arrestuarve, vendime që janë ekzekutuar sot nga Policia e Shtetit. Në arrest shtëpie është lënë Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.